Bislimi: Kryetari Haziri kishte njohuri për videon që nga janari
/2L ONLINE/ – Dalin të dhëna të reja interesante rreth skandalit me video ku shihet drejtori i Drejtorisë Komunale të Gjilanit (DKA), Nazmi Musa, në kohën sa ishte profesor, duke e nxjerrë dhunshëm jashtë klase një nxënës. E, duket se për videon në fjalë, kishte njohuri edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, edhe atë qysh nga janari i këtij viti. Së paku kështu shprehet profesor Xhelal Bislimi, për të cilin drejtori i DKA-së pretendon se ishte ai që ua shpërndau videon medieve.
Ditë më parë, në seancën e Kuvendit Komunal, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa para anëtarëve të Kuvendit kërkoi falje, siç tha ai, për sjellje jo pedagogjike nga ana e tij dhe sqaroi se video është publikuar nga mësimdhënësi Xhelal Bislimi, si formë presioni e shantazhi ndaj tij, për faktin se e ka dërguar në komision disiplinor, meqë ka munguar një muaj në punë pa arsye. Musa tha se ky person ka tentuar ta korruptojë e shantazhojë disa herë, por meqë nuk ka mundur, atëherë e ka përdorë edhe këtë formë.
Por, profesor Xhelal Bislimi bënë të ditur, për Portalin 2L ONLINE, se nuk është ai që ua ka dërguar videon medieve, por pranon se e posedon videon, për më tepër, ai jep një të dhënë interesante kur thotë se një video të tillë ia ka dërguar kreut të komunës Lutfi Hazirit qysh në janar të këtij viti, për ta njoftuar të parin e komunës, siç thotë ai, se çfarë drejtorësh ka në ekipin e tij.
Bislimi beson se videoja për media është shpërndarë nga vet nxënësit, ndërsa thotë se e kanë bërë në këtë kohë, pasi këtë vit ata kanë kryer shkollimin e mesëm, pasi që më parë nuk e kishin publikuar nga frika e hakmarrjes.
Përndryshe, Bislimi thotë se pak rëndësi ka kush ua dha medieve videon, pasi më e rëndësishme është përmbajtja e videos, ku kemi ushtrim dhune fizike e më pas edhe psikologjike, të një ish profesori, tani drejtor i DKA-së ndaj një nxënësi, dhe kjo është çështja që duhet trajtuar, e jo kush ua dha mediave.
Ai thotë se për rastin, që sipas tij, ka ndodh që dy vite, pak para zgjedhjeve, ishte i njoftuar nga nxënësit që e kishin kërkuan ndihmën e tij si profesor, dhe se një rast të tillë ai edhe e kishte paraqitur në drejtorinë e shkollës (Shkolla teknike ‘Mehmet Isai”, ku ai punoi si mësimdhënës, por edhe ku ndodhi rasti).gojarisht si rast, pa treguar në atë kohë se ka edhe video,por se, siç thotë ai, drejtoria e shkollës e ka hesht rastin.
Ai thotë se duke u nisur nga fakti se kreu i komunë Lutif Haziri edhe publikisht ka kërkuar, disa herë, që rastet abuzive të zyrtarëve të denoncohen, ai e ka bërë një veprim të tillë qysh në janar të këtij viti, kur ka dërguar në telefonin privat të kryetarit, videon në fjalë dhe duke iu prezantuar se kush është, edhe ka treguar gatishmëri për t’u takuar me të.
Bislimi thotë se kryetari Haziri i ka premtuar atij se do të merret seriozisht me rastin, madje e ka ftuar disa herë në takim atë, të cilës ftesë ky iu është përgjigjur përherë pozitivisht, por se takimi asnjëherë nuk është realizuar, sepse sa herë që ka shkuar tek selia e kryetarit, në ditën dhe kohën e caktuar, ka rastisë që kreu i komunës të ketë agjendë të ngjeshur, apo të ketë udhëtuar jashtë vendit, kështu që takimet kanë dështuar.
Përndryshe, Bislimi ka hedhur poshtë pretendimet e drejtorit të DKA-së se me këtë video ai e ka shantazhuar. Ai thotë se për rastin e largimit nga puna është në procedurë gjyqësore, bile dëshmi për ekzistencën e videos iu janë bashkangjitur edhe kësaj lënde-padi që e ka bërë Bislimi. /2L ONLINE/
