Bisedohet për binjakëzimin e Kamenicës me ndonjë komunë në Bullgari
(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani ka pritur sot në takim ambasadorin e Kosovës në Bullgari, Shpend Kallaba. Sinani dhe Kallaba biseduan për binjakëzimin e komunës së Kamenicës me ndonjë komunë në Bullgari, pasi që binjakëzimi i komunave të Kosovës me ato të Bullgarisë, është edhe një nga prioritetet që përmendën përfaqësues të Ambasadës.
Ambasadori Kallaba gjatë takimit me kryetarin Sinani, shprehu gatishmërinë që këtë proces ta fillojë me komunën e Kamenicës. Kryetari Sinani falënderoi Kallaba për këtë nderë që ia ka bërë komunës dhe tha se Kamenica do të jetë e gatshme gjithmonë të bashkëpunojë me shërbimet diplomatike të Republikës së Kosovës.
“Është një nder që sot kemi këtu ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Kallaba. Ne jemi të përkushtuar të bëhemi pjesë e projekteve të cilat do të kontribuojnë në çfarëdo mënyre për komunën tonë, ndër to, edhe binjakëzimin e komunës me ndonjë komunë në Bullgari”, tha veç tjerash Sinani.
Ndërkaq ambasadori Kallaba, tha se komuna e Kamenicës do të përfitonte në shumë sfera nga ky proces. “Bashkëpunimi do të ishte i dobishëm në shumë fusha, si në ekonomi, kulturë, administratë publike, etj.”, tha Ambasadori Kallaba. /2L ONLINE/
