DYLON

Biografitë në librin “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës” nuk janë vetëm rrëfime individuale – ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive

Biografitë në librin “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës” nuk janë vetëm rrëfime individuale – ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive
Avatar photo Redaksia

Nga: Xhevdet Kallaba, redaktor

Monografia “Veteranët e Shëndetësisë së Anamoravës”, e autorit Dr. Xhavit Hajdari, lindi nga dëshira e tij e sinqertë për t’u dhënë vendin e merituar mjekëve që, me zemër e me shpirt, i shërbyen njeriut dhe komunitetit.

EkoHigjiena

Biografitë që përfshihen në këtë vepër nuk janë vetëm rrëfime individuale – ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive, pjesë e historisë së qytetit dhe e Anamoravës. Çdo faqe ruan frymën e një humanizmi të madh, ku mjeku shihet jo vetëm si profesionist, por si njeri që jeton me hallet, dhimbjet dhe shpresat e popullit të vet.

Në këtë monografi janë përfshirë 112 biografi mjekësh veteranë – emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë. Në fakt, dy prej këtij numri nuk arritën ta përmbyllnin rrugëtimin e tyre akademik drejt titullit të mjekut, për shkak të rënies së tyre në altarin e lirisë, gjatë luftës së fundit në Kosovë: Alban Ajeti nga Gjilani dhe Ismajl Ismajli nga Kopërnica e Dardanës, të cilët me të drejtë u shpallën Dëshmorë të Kombit.

Megjithatë, fryma e tyre e angazhimit dhe përkushtimi në shërbim të jetës gjatë luftës ishte sikur të ishin mjekë të vërtetë, të përkushtuar ndaj detyrës humane deri në frymën e fundit.

Sigurisht, mund të kenë mbetur jashtë disa që, për arsye të ndryshme, nuk kanë arritur të dërgojnë të dhënat e tyre. Por, libri mbetet një bazë e fortë, një themel që mund të zgjerohet në të ardhmen me botime plotësuese.

E rëndësishme është që sot kemi para vetes një arkiv të gjallë të shëndetësisë sonë – një testament të brezave që punuan me ndërgjegje e me dashuri për profesionin.

Kjo monografi është, në radhë të parë, një shenjtërim i kujtesës – për ata që nuk kursyen as ditë, as natë, në shërbim të tjetrit. Është nderim për ata që përballuan mungesa, padrejtësi e sfida të panumërta, por nuk u dorëzuan kurrë. Rruga e tyre mbetet një shembull frymëzimi për gjeneratat e ardhshme të mjekëve, për studentët e rinj që do të ecin në gjurmët e tyre.

Dua të falënderoj me përzemërsi të gjithë mjekët që nuk janë më në jetë, si dhe familjarët e atyre, të cilët ndanë me autorin kujtimet, të dhënat dhe historitë e tyre. Falë këtij bashkëpunimi, sot kemi një dëshmi të vlefshme për historinë e mjekësisë në Anamoravë dhe më gjerë.

Rëndësia e kësaj vepre është e shumëfishtë: ajo ruan kujtesën, frymëzon përkushtimin dhe forcon identitetin profesional e etikën mjekësore. Përmes këtyre biografive, kuptojmë jo vetëm zhvillimin e shëndetësisë, por edhe jetën shoqërore e kulturore të këtij rajoni – lidhjen e mjekut me komunitetin, me arsimimin, me humanizmin dhe solidaritetin njerëzor.

Edhe pse unë, si redaktor, nuk vij nga fusha e mjekësisë, ndjej se jam thellësisht i lidhur me këtë histori. Kam pasur fatin t’i njoh shumë prej këtyre mjekëve personalisht, të shoh nga afër përkushtimin e tyre dhe ndikimin që kanë lënë.

Angazhimi im në këtë projekt ka qenë plotësisht vullnetar – si shenjë respekti për figurat që përbëjnë identitetin dhe kujtesën tonë kolektive.

Në dekadën e fundit, si kronist i jetës kulturore e shoqërore të Anamoravës, kam mësuar se çdo histori që dokumentohet është një dhuratë për të ardhmen.

Ky bashkëpunim është dëshmi e mirë se kur arti, kultura dhe kujtesa historike bashkohen, lindin vepra që i japin vlerë qytetit dhe shoqërisë sonë.

Prandaj, ky libër është shumë më tepër se një përmbledhje biografish – është një mirënjohje për jetën, për profesionin dhe për njeriun.

Duke e përuruar këtë vepër, ne i përulemi me respekt gjithë atyre që e kanë bërë shëndetësinë e Anamoravës një histori të dinjitetit, sakrificës dhe dashurisë për njeriun.

Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu për ta ndarë këtë ditë nderimi dhe kujtese. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.