Bie numri i aksidenteve në trafik

Bie numri i aksidenteve në trafik

Pas fillimit të zbatimit të nenit 43 të Ligjit për Automjete, Nr. 05/L-132 dhe pas rritjes së masave të sigurisë në komunikacion nga ana e Policisë së Kosovës, në Republikën e Kosovës ka filluar të bjerë numri i aksidenteve në trafik.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar, numri total i aksidenteve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka rënë për 13.25 për qind.

Nga 8073 aksidente në trafik që kanë ndodhur në periudhën janar-qershor 2017, sivjet kanë ndodhur 7003 aksidente, që do të thotë 1070 aksidente më pak.

Ndërsa, krahasuar muajin qershor 2017, ku kanë ndodhur 15 aksidente, në qershor të këtij viti kanë ndodhur pesë aksidente me fatalitet.

Gjithashtu është bërë rritja të hyrave nga gjobat e trafikut për periudhën janar-qershor 2018, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Nga shuma e inkasuar prej 1 milionë e 514 mijë euro, këtë vit janë inkasuar 2 milionë e 860 mijë euro.

Ministria e Punëve të Brendshme, fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të respektojnë rregullat e komunikacionit, sidomos gjatë sezonit veror kur pritet të rritet numri i pjesëmarrësve në komunikacion rrugor.

Që nga muaji i kaluar Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar me zbatimin e nenit 43 të Ligjit për Automjete, Nr. 05/L-132, i cili kërkon që: “Pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit, pa e bërë shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

KOMENTE