Biblioteka Publike “Ramadan Musliu” në Viti, pritet të furnizohet edhe me shumë tituj të rinj librash dhe atë në vlerë prej 6400 euro.
Kjo pasi që dje përgjegjësja e bibliotekës publike në Viti, Sadie Dauti ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit .
Drejtori i DKRS-së në Viti, Valmir Sahiti ka thënë se pasurimi i bibliotekës në Viti, do të bëhet edhe me projekte të tjera duke paralajmëruar se së shpejti në bashkëpunim me USAID dhe BONEVET do të investohet edhe në furnizime të reja me libra dhe në digjitalizimin e kësaj biblioteke.
Poashtu dje në shkollën fillore të mesme të ulët “ Kenan Halimi” në Gjylekar të Vitisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u dhuruan për këtë shkollë rreth 300 tituj të librave me mbi 500 ekzemplare.
Kurse ditë më parë u bë edhe dhurimi i një sasie të librave me 111 tituj dhe 168 ekzemplare nga Biblioteka “Ramadan Musliu” në Viti për themelimin e bibliotekës në Manastir të Maqedonisë së Veriut. /2LONLINE/