Biblioteka e shkollës së Shurdhanit pasurohet me mbi 350 tituj librash

Biblioteka e shkollës së Shurdhanit pasurohet me mbi 350 tituj librash

Kremtja e 28 Nëntorit kësaj here në Gjilan ishte e veçantë edhe për faktin e vendosjes së shtatores së heroit kombëtar Idriz Seferit dhe e veçantë ishte edhe për shkollën e Mesme të Ulët “Bajram Curri” në Shurdhan, ku përveq që edhe aty u shënua kjo Ditë e rëndësishme me një program të pasur dhe të larmishëm kulturor, biblioteka e kësaj shkolle u pasuruar edhe me shumë tituj librash.

Drejtori i shkollës,Qemajl Ramadani, në fjalën e tij përshëndetëse, para prindërve, nxënësve, mësimdhënësve si dhe shkrimtarëve të mirënjohur, Ibrahim Kadriut, Anton Nikë Berishës e Sabit Rrustemit, theksoi se ndihet i nderuar që, kësaj here Festat e Nëntorit po i shënojmë në mënyrën më të mirë, si me rezultate mësimore, ashtu dhe me veprimtari të shumta anembanë komunës, të cilat kulmuan në nderim të figurës së heroit të kombit, Idriz Seferit, i cili ishte po nga këto treva dhe, mik shtëpie e shok lufte kishte Bajram Currin, emrin e të cilit mban kjo shkollë.

Para të pranishmëve, me një fjalë rasti u paraqitën edhe shkrimtarët Ibrahim Kadriu e Anton Nikë Berisha, duke shprehur kënaqësinë që gjenden mes Grykës së Karadakut dhe gjithë këtyre fatosave të cilët janë e ardhmja e sigurt e këtyre trevave.

Në këtë solemnitet, bibliotekës së kësaj shkolle, shkrimtari Ibrahim Kadriu, ia dhuroi mbi 350 tituj librash të zgjedhur, si pjesë e aksionit të Ars Clubit “Beqir Musliu” për pasurimin e bibliotekave shkollore me libra, që po e realizon gjatë Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”.

Nxënësja e kësaj shkolle, Donita Hasani, me këtë rast e befasoi shkrimtarin Ibrahim Kadriu duke ia dhuruar një portret të tij, vizatuar po nga ajo dhe me mjaft përkushtim.

Programi festiv i kësaj shkolle u përmbyll me një koktej festiv, përgatitur nga vetë shkolla, ku prindër e mësimdhënës ishin përkujdesur për të servuar dhe ushqime të traditës.

KOMENTE