Betohet Thaçi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është betuar në Kuvendin e Kosovës, ku ka premtuar se do të jetë në shërbim të vendit. Ai ka lexuar betimin para deputetëve duke u zotuar se do t’i kryej punët me përgjegjësi.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, ka thënë Thaçi
Përndryshe, gjatë fjalimit të tij si president, Thaçi tha se ndihet krenar që gjatë punës së tij ka marrë pjesë në të gjitha proceset që kanë rezultuar me pavarësinë e vendit. Duke falënderuar paraardhësen e tij për punë të shkëlqyer, Thaçi tha se me marrjen e detyrës së re do të angazhohet për respektim të Kushtetutës dhe interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Thaçi po ashtu ka përmendur gjatë fjalimit integrimin evropian të Kosovës, liberalizimin e vizave, formimin e FAK-ut si dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sipas tij Kosova do të angazhohet që të jetë pjesë e të gjitha organizmave ndërkombëtare.
Presidenti i zgjedhur po ashtu ka përmendur edhe sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi si dhe veprën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të kombit. Thaçi u zotua se si president do të angazhohet për unifikim të gjithë spektrit politik.
