DYLON

Beteja e Marecit (18-23 prill 1999)

Beteja e Marecit (18-23 prill 1999)
Avatar photo Redaksia

Në Betejën e Marecit u përfshinë në luftime dy zona operative: Zona Operative e Llapit me Brigadën 153 dhe Zona Operative e Karadakut me Brigadat 171,172 dhe 173.

Në këtë betejë armiku synonte ta shpartallonte efektivin e UÇK-së që kishte nën kontroll tërë Malësinë e Gollakut. Për këtë qëllim kishte angazhuar numër shumë të madh të ushtarëve dhe teknikë luftarake. Shtabi i Zonës së Karadakut ishte i vendosur në lagjen Hajdaraj të Marecit , ndërsa brigada 153 e ZOLL ishte e vendosur në Zllash.

Shemsi SYLA

EkoHigjiena

Forcat serbe, duke shfrytëzuar motin e ligë dhe me mjegull, në mëngjesin e datës së 18 prillit, filluan ofensivën në shumë drejtime, duke u përpjekur që të rrethojnë plotësisht brigadat e UÇK-së. Forcat serbe, pozicioneve të UÇK-së ua mësynë nga të katër anët, në lindje sulmuan nga: Artana e Kalaja e Artanës, në jug nga: Prekovci, Llabjani, Llajsheci, Slivova, nga Mukata, Mramori, Butoci, në perëndim dhe në veri: nga Grashtica, Makoci, Keqekolla e Prapashtica.

Luftimet filluan në Kukaj, ku forcat serbe ndeshen me luftëtarët e Brigadës 153 të ZOLL. Në këto luftime mbesin të vrarë disa ushtarë serbë, kështu që forcat serbe detyrohen të tërhiqen për një kohë dhe i fillojnë bombardimet e pozicioneve të UÇK-së me tërë forcën e zjarrit të artilerisë që e kishin në dispozicion.

Lufta përhapet shpejt edhe në pozicionet tjera të UÇK-së dhe Malësia e Marecit shndërrohet në arenë luftimesh të përgjakshme. Luftimet u zhvilluan edhe në afërsi. Angazhimi i drejtpërdrejtë i komandës dhe i komandantit, në vijën e parë të frontit, u dha zemër luftëtarëve, të cilët luftonin me heroizëm të pashoq dhe disa herë sprapsën armikun gjatë përpjekjeve të tyre për të marrë pikat strategjike në fushëbetejë.

Qëndresa e luftëtarëve të lirisë ishte e pathyeshme. Armiku pësoi humbje shumë të mëdha në njerëz dhe në teknikë luftarake, sidomos në vijën Viti- Gërbesh, ku gjetën vdekjen dhjetëra ushtarë serbë. Edhe luftëtarët e Brigadës 153, si Plaku, Mejdi Asllani po e tronditnin armikun, duke i dhënë grusht të fortë, që e detyruan, megjithë makinerinë, të sprapsej.

Në luftime të ashpra, plagoset Agmir Zejnullahu- Bujanoci dhe ushtar Korabi, por plagë më të rënda vdekjeprurëse, mori Majori Muharrem Ibrahimi, ushtaraku i përvojës e dijes, shëmbëlltyrë i urtësisë dhe inteligjencës. Njeriu, i cili mbante luftën në vija fronti pa u lëkundur në pushtimin e majave të pikës. Copat e granatës e goditën kur po ia thoshte këngës, duke u dhënë zemër bashkëluftëtarëve. Me përpjekje mbinjerëzore shokët e tërheqin nga vendi i plagosjes duke e dërguar në shtab, ku iu dha ndihma e parë. Nga plagët kishte humbur shumë gjak, gjendja iu kishte keqësuar, prandaj duhej nisur për në spitalin ushtarak. Megjithë përpjekjet e bëra, Majori ndërron jetë. Për të gjithë ushtarët shëmbëlltyra e Majorit mbetet një kujtim i përhershëm, i cili edhe përpara vdekjes qëndronte i fortë.

Në këtë betejë u vra edhe Shaip Pacolli, i cili atë ditë u bashkua me ushtarët e UÇK-së për të rezistuar me trimëri deri në momentin e rënies heroike. Krisma e pushkëve të tij iu kishte dhënë fuqi ushtarëve të UÇK-së. Ai kishte depërtuar thellë në zonën e armikut dhe kishte luftuar me heroizmin e trimave malësor të Marecit heroik.

Gjatë tërë betejës ushtarët e UÇK-së ishin të detyruar të kujdeseshin edhe për mbrojtjen dhe furnizimin me ushqim të popullatës,e cila ishte zhvendosur nga Prishtina në Malësinë e Marecit. Në këtë kohë, në Malësinë e Marecit ndodheshin rreth 80 mijë banorë të Prishtinës dhe të fshatrave përreth. Nga paniku i shkaktuar gjatë luftimeve dhe lufta speciale e armikut, një pjesë e madhe e popullsisë ia mësyen Prishtinës. Armiku i tërbuar nga humbjet që kishte pësuar në përballje me UÇK-në, në fshatrat në hyrje të Prishtinës, Makoc e Grashticë, i ndanë nga kolona e të zhvendosurve dhe në mënyrën më mizore i masakron 153 vetë.

Në gjiun e atdheut ranë , dhjetëra dëshmorë nga të dy zonat. Nga Zona e Karadakut ranë edhe: Besnik Maroca (Syla), shembulli më brilant i heroizmit. Ai me të dëgjuar për vrasjen e shokëve nuk pranon më të jetojë, del hapur duke shtënë në drejtim të armikut, rafalet e të cilit e godasin për vdekje. Në kujtesën e shokëve mbetet simbol i heroizmit dhe sakrificës.

Ibrahim Uruçi (Hushi), që në tetëvjeçare ishte i angazhuar në veprimtarinë kombëtare. Ishte një ushtarak i lindur. Ai po i printe kolonës kur u ndesh përballë me armikun, në shkëmbim të të shtënave bie në fushën e nderit.

Jahir Bahtiri, trim i maleve të Vërbicës së Zhegocit, heroizmi i tij mbetet frymëzim për nxënësit e tij, të cilët i braktisi kur i bëri thirrje atdheu.

Musli Ymeri (Fatosi), i shpejtë si vetëtima, kudo që kishin nevojë shokët, ai ishte në krah të tyre. Në një nga këto akte të heroizmit të tij plumbat e godasin për vdekje, studentin që kishte lënë mësimin për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut.

Njëzetedy dëshmorë ranë, në këtë betejë, nga Zona e Llapit. Ndër ta edhe Heroi i Kombit Isa Kastrati, figura më emblematike dhe më konsekuente e luftës për atdhe.

Gjithë rrugëtimi i tij jetësor përmbyllet lavdishëm me rënien e tij, duke vulosur me gjakun e tij betimin e hershëm, që kishte dhënë 30 vjet më parë. Brigada 172 e Zonës Operative të Karadakut, vazhdon luftën deri në çlirimin përfundimtar duke bartur me krenari emrin e tij.

Në Betejën e Marecit, ranë: 27 luftëtarë dhe 16 nga popullata civile.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.