Beteja e Hashimit prej Parisit
Zejnullah Jakupi
/2L ONLINE/ – Kandidimi i Hashim Thaçit për President tashme ka nisur. Me këtë kanë filluar kampanjat pro dhe kundër tij. Javën që lamë pas 11.02.2016 shefi i gazetës bulevardeske “Bild” Kai Dickmann i cili thuhet se ka aq shume pushtet medial dhe politik sa mundet me rrëzue prej pushteti edhe kancelaren Merkel, ju gjue Hashim Thaçit me shpifjet për “trafikim organesh”. Hashim Thaçi si dikur Ibrahim Rugova, nuk e merr mundin ti përgënjeshtroj akuzat e shumta që qarkullojnë në opinion publik, siç do ta parashihte një strategji e Public Relation-it. Hashim Thaçi, po duket se po del më i fortë se shefi i Bild-it, mbase ky i pari është i besuari ose dora e djathtë e amerikaneve dhe e francezëve?
Këtë bashkëpunim me francezët, si duket, e prishi Pierre Siramy ish- drejtori I shërbimit të fshehtë francez. Shaban Murati njohës i çështjeve diplomatike shtron pyetjen, pse vallë askush në Kosovë nuk po e përgënjeshtron akuzën se ish drejtori ka këshilluar Hashim Thaçin në Rambuje, e si rrjedhoj ky i fundit na qenka bashkëpunëtor i shërbimit sekret francez? Si ka mundësi, pyet analisti shqiptar, që një shërbim inteligjent i një shteti kaq të madh, lë të rrjedh një informacion ose të zbuloj bashkëpunëtorët e vet, në mënyrë kaq të lehtë pa u bezdisur fare, mbase bashkëpunëtorët e shërbimeve nuk zbulohen as edhe kur nuk janë më pjesë të këtyre shërbimeve? Si në rastet tjera Hashim Thaçi, po as institucionet më të larta të shtetit te Kosovës, nuk e kanë përgënjeshtruar këtë “akuzë”. Rasti pse tani ka rrjedh ky informacion sekret lidhet gjithsesi me karrierën e kandidatit për president. Akuza se Hashim Thaci ishte bashkëpunëtor i shërbimit francez, del të jetë politik, mbase nuk dihet se a është i vërtetë, ose ngjan të jetë riprodhuar(shpikur) nga kundërshtarët politik, të jashtëm por edhe ata të brendshëm, në kohën kur Hashim Thaçi kandidon për president.
Akuza tjetër mjaftë e rëndë vjen nga Adrea Capussela Këshilltar I Shefit të IC_osë në Kosovë i cili për emisionin “Zona Express” thotë se ka raporte që lidhin Hashim Thaçin me korrupsion, me krim të organizuar dhe disa krime lufte, duke thënë se ai nuk është i vetëm në këtë. Pas tij vjen gazeta austriake”Kleine Zeitung” e cila më 11.02.2016 ka shkruar se Thaçi po “nxiton” të bëhet president se me tu bërë fiton imunitet dhe nuk mund të ndiqet penalisht nga gjykata speciale.
Në ofensivë kundër Hashim Thaçit janë edhe gazetarët serbë, kundërshtarët e PDK-së por edhe gjithë ish- shokët e Hashimit që nuk kanë fituar asnjë copë torte nga pushteti. VV tok me AAK dhe Nismën dhe një pjesë të madhe të opozitës nuk do ta festojnë 8 vjetorin e pavarësisë,por do të protestojnë kundër Hashim Thaçit dhe Zajednicës me moton për të mbrojtur “sovranitetin e Republikës”. Kjo hallakatje në prag të festes së 17 shkurtit me gjasë do ta “zhvendos” për disa ditë emrin e tij nga top lista e akuzave mediale.
Kandidimin për president për ish- kundërshtarin e luftës Hashim Thaçin e kundërshton edhe Major Nazif Ramabaja. “Figura e presidentit duhet të jetë unifikuese, koncensuale ..[e jo,] përçarëse e në shërbim të klaneve, grupeve të interesit dhe shërbimeve sekrete të vendeve të huaja. Një president që s’e do populli s’mund ta përfaqësojë atë”. Z. Ramabaja e akuzon Hashim Thaçin si një person kontravers, “i cili njihet me dinakërinë e tij. “Gjarpri s’i tregon kurrë këmbët”, po sa të “marrë” postin e presidentit do t’i inskenojë zgjedhjet e parakohshme, kështu vendi në këtë apo në atë mënyrë do të hyjë në fushatë elektorale”.
Simpatizantët e Hashim Thaçit kanë besim të plotë se “Gjarpri” ka ditë dhe do të di mirë tu bëjë ballë sulmeve në opinionin publik. Beteja e Hashim Thaci nuk ka mbaruar, ajo tashmë ka filluar. Thuhet se ai ka mbështetjen e ndërkombëtarëve por edhe të partisë së tij dhe gjithë aparatit shtetëror dhe nuk gjendet as sesi në udhëkryq. Nëse edhe kësaj radhe del fitues, si deri tani, ai do të mbetet figurë emblematike dhe do jetë një politikan shembull për gjeneratat e ardhshme. Ka gjasë edhe të humb. Gjithsesi, kjo do jetë loja e radhës edhe për “viktimat” tjera me personalitete tek do të pësojnë si figurat e lojës së shahut. Humbja e tij politike do jetë një leksion për gjithë ata që besojnë se mund të arrijnë në karrierë famën e kërkuar, pa qenë vasal, besa edhe pa qenë bashkëpunëtor i miqve..! /2L ONLINE/
