/2L ONLINE/ – Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë së Drejtësisë (PD), Dega në Gjilan ka zgjedhur për kryetar të ri Skënder Berishën. “Sot mbajtëm kuvendin ku ishin të pranishëm 56 delegatë. Unë zyrtarisht jam zgjedhur kryetar i PD-së së Gjilanit. Gjithashtu kemi zgjedhur edhe kryesinë që përbërja e tyre është shume e mirë. Tani e tutje dega ka kryetarin legjitim dhe kryesinë legjitme dhe do të jetë e hapur për të gjithë”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, Skender Berisha.
Sipas tij, PD-ja e Gjilanit tani synim ka mbledhjen e anëtarësisë që janë dhe që kanë qenë prej fillimi. Berisha theksoi se synim kryesor do të jetë zgjerimi dhe lëvizja drejt asaj që qytetarët t’i kthejnë sytë ka shpresa e vetme që është PD-ja.
“Shpresojmë të jemi më të suksesshëm se që kanë qenë paraardhësit, shpresojmë që të mësojmë nga gabimet e tyre dhe të mundohemi t’i sanojmë ato duke ia kthyer epitetin që e meriton Partia e Drejtësisë”, ka thënë Berisha.
Përndryshe, zhvillimet e fundit në Partinë e Drejtësisë, përçarjet në këtë subjekt, nuk kishin lënë pa e prekur as Degën e këtij subjekti në Gjilan dhe derisa njëra pjesë (mbështetësit e Ferid Aganit) e kishte ftuar këtë Kuvend të Jashtëzakonshëm, pjesa tjetër, që e konsideron vetën legjitime, vlerësonte se Dega e PD-së në Gjilan është stabile dhe e unifikuar karshi këtyre zhvillimeve dhe mbajtjen e një Kuvendi të tillë, siç thonë ata nga njerëzit e z.Aganit, e vlerësonin si një kuvend klandestin e manipulues dhe një veprim jashtë çdo norme ligjore e morale!
Tani, pritet të shihet në vazhdim se si do të rrjedhin zhvillimet në këtë subjekt politik, ku ekzistojnë dy palë që pretendojnë në legjitimitet. /2L ONLINE/