/2L ONLINE/ – Fejzulla Berisha, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka ofruar të dhëna të cilat, sipas tij, dëshmojnë se gjatë vitit 2014 nga ky institucion ndihmën e mjekut e kanë kërkuar mbi 202 mijë qytetarë, janë pranuar donacione të ndryshme në pajisje shëndetësore, sikur që është investuar edhe në pajisje të tjera moderne dhe riorganizim të stafit mjekësor për të dhënë shërbime më të mira për qytetarët e Gjilanit.
“Jemi angazhuar mirë edhe në aspektin e riorganizimit të stafit shëndetësor por edhe në caktimin e kujdestarive për të mundësuar shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarë. Kështu që për vitin 2014 kemi dhënë 202 mijë shërbime shëndetësore për qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Shërbimet shëndetësore janë jepen nëpër institucionet shëndetësore, në shtëpi të pacientit përmes mjekut, shërbime të ndihmës së shpejtë, vizitave në terren nga mjeku nëpër zonat më të largëta nga qyteti, por edhe shërbime të tjera për nxënësit dhe fëmijët në aspektin e vaksinimit të rregullt të tyre por edhe vaksinimin e qytetarëve për t’u mbrojtur nga viruse të ndryshme që mund të paraqiteshin”, tha ai, duke njoftuar edhe për donacionin të një autoambulance që ka pranuar kjo qendër nga Rotary Club nga Anglia falë angazhimit të Rotary Clubit të Gjilanit dhe pajisjeve të tjera përcjellëse.
Gjithashtu, Berisha ka informuar edhe për investimet në pajisje që kjo qendër ka bërë sa i përket modernizminit të pajisjeve shëndetësore, si aparati biokimik automatik, aparati hematologjik për shërbime laboratorike, aparatin për zhvillim të filmave të rëntgenit stomatologjik, karrige stomatologjike, një automjet të ri për transportin e pacientëve në dializë otoskopa, tensiometra llampa për fyt, inhalator, pajisje të ndihmës së shpejtë, etj., sikur që është bërë edhe monitorimi i objekteve dhe pajisjeve ekzistuese, në mënyrë që qytetari të mos ketë mungesën e shërbimeve kualitative shëndetësore.
Drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha, tha se sa i përket investimeve kapitale, ku është bërë renovimi i QKMF-së, i QMF-së në Dheun e Bardhë, në lagjen Dardania, Arbëria, në fshatin Malishevë, Pogragjë, sikurse është shtuar edhe një aneks në QMF-në në rrugën Ramiz Cërrnica.
“Buxheti i ndarë për këtë qendër është shpenzuar 99.99%, sipas planifikimit të bërë. Këtë vit jemi të përkushtuar që punë të shihet edhe më tepër në kuadër të rritjes së dinamikës dhe efikasitetit në punë përmes riorganizimit të stafit mjekësor edhe pse në këtë drejtim kemi nevojë për staf shtesë për të bërë mbulimin e gjithë hapësirës së Komunës me shërbime shëndetësore 7 ditë në javë”, përfundoi Berisha. /2L ONLINE/