DYLON

Berisha (KBGJ): Kemi ndikuar në ngritjen e vetëdijes për kriterin gjinor

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Komiteti për Barazi Gjinore (KBGJ) ka miratuar të premten raportin e punës për periudhën janar-qershor 2016, të cilin e ka paraqitur Gjylshene Berisha, kryesuese. Ajo ka thënë se KBGJ ka dhënë kontributin e vetë të vazhdueshëm në ngritjen e mëtutjeshme të vetëdijes së opinionit të gjerë për barazinë gjinore në nivel komunal, për zhvillimin e politikave të barazisë gjinore në Komunë, në mbikëqyrjen e zbatimit të infrastrukturës ligjore në institucionet komunale dhe të tjera.

KBGJ ka arritur ta përmirësojë dukshëm kriterin gjinor ta emërtimet e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve. Nga rreth 1500 rrugë, 115 prej tyre janë me emërtime të gjinisë femërore. Në qytet janë 69 rrugë që mbajnë emra të femrave, kurse në fshatra – 36 rrugë.

EkoHigjiena

Sa i përket numrit të shërbyesve civilë, Berisha ka thënë se në Komunë janë të punësuar 81 femra dhe 227 meshkuj. Sipas saj, mungojnë femrat në pozita vendimmarrëse.

“Ne si Komitet kemi kërkuar që të miratohet rregullorja komunale për barazi gjinore, të rritet numri i femrave në pozita vendimmarrëse, sikurse kemi kërkuar themelimin e njësisë për fuqizim ekonomik të gruas në kuadër të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik”, ka thënë Berisha.

KBGJ ka vizituar edhe Qendrën për Rehabilitimin e Gruas dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan, që është njëra ndër gjashtë strehimoret e këtilla në Kosovë, e cila gjatë këtyre viteve ka pasur përkrahje edhe nga Komuna. Ajo që na intereson neve, është statusi juridik i kësaj shoqate, për të kuptuar nëse Komuna ka obligime ligjore ndaj saj ose jo”, ka thënë ajo.

Po ashtu KBGJ është marrë edhe me barazinë gjinore te pronësia dhe ka marrë informacione nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani si dhe drejtori i Kadastrës, Sadudin Berisha.

Ramadani ka thënë se kërkesat për subvencione nga femrat janë të pakta, duke nënvizuar se ato nuk janë refuzuar asnjëherë. Sa i përket punësimit, në këtë drejtori ka vetëm dy femra.

Kurse sa i përket regjistrimit të pronave, Sadudin Berishaka thënë se nuk ka statistika të mjaftueshme, megjithëse Kadastra i ka kushtuar rëndësi të veçantë barazisë gjinore.

Përndryshe, KBGJ i ka rekomanduar KPF-së që të shqyrtoj rregulloren e këshillave lokale, për të përmirësuar përfaqësimin gjinor.

KBGJ ka diskutuar edhe rreth përfshirjes gjinore në media. “Për fat të keq, burrat dominojnë ende jo vetëm në politikë-bërje dhe vendimmarrje, po edhe në media”, ka thenë Gjylshene Berisha, duke nënvizuar nevojën që mediat, gjithsesi të jenë aleatë të natyrshëm të femrave në betejën për barazi me meshkujt.

Gjatë kësaj periudhe, KBGJ ka bërë edhe rekomandime të tjera, ka thënë Berisha.

Raporti është përkahur nga anëtarët e kësaj trupe komunale, Sabri Rexhepi, Renan Imam, Januz Hasani, Kadrije Hajdari e të tjerë./2L ONLINE/