(2LONLINE) – Është mbajtur sot mbledhja e Komitetit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë e kryesuar nga Nevzad Rushiti, në të cilin është dhënë një informatë për 100 ditëshin e qeverisjes nga ana e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Sadudin Berisha dhe po ashtu është rekomanduar për në Komitetin për Politikë dhe Financa lidhur me shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Komunës që ka të bëjë me ndalimin e privatizimit të pronës shoqërore.
Me këtë rast, në informatën e tij drejtori Sadudin Berisha ka thënë se për këto 100 ditë të qeverisjes është punuar me prioritetin e parë, shërbimin efikas ndaj qytetarëve të Komunës së Gjilanit.
“Që nga dita e parë jemi të vendosur të punojmë në shërbim të qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Gjatë këtij muaji do të nis incizimi i gjendjes në rrugën Gjilan – Prishtinë dhe rrugës Gjilan – Bujanoc, për t’i hapur rrugë projektit për investime kapitale në këto pika që ka të bëjë me rregullimin e hyrje – daljeve të qytetit”, ka thënë Berisha.
Ai tha se në të njëjtën kohë do të punohet edhe në evidentimin e uzurpimeve të pronës komunale.
“Për këtë periudhë kohore kemi pranuar më shumë se gjashtë mijë kërkesa nga ana e qytetarëve që në total rreth 98% prej tyre u është dhënë përgjigje. E sa i përket të hyrave vetanake, ka një rritje prej 20% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë, ndër të tjerash, drejtori Berisha.
Ndërsa, kryesuesi i Komitetit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Nevzad Rushiti, ka prezantuar para anëtarëve pikën tjetër lidhur me rekomandimin në KPF, për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Komunës të vitit 2010, që kishte të bëjë me ndalimin e privatizimit të hapësirës shoqërore në Komunën e Gjilanit. /2lonline/