/2L ONLINE/ – Investimet në shëndetësinë primare të Gjilanit, përkujdesi i vazhdueshëm i mjekut në familje, kontrollat sistematike, shërbimet rekorde nëpër QKMF, QMF dhe AMF, por edhe shërbime të tjera të veçanta shëndetësore, ishin ato që u prezantuan në konferencën për media, nga drejtori i QKMF-së, Fejzulla Berisha.
“Pas bashkëpunimit të lidhur mes Komunës së Gjilanit, respektivisht QKMF-së me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me “Caritas Kosovën”, është arritur që të pranohen një numër i personelit mjekësor, që më vonë është përkthyer me shërbime më të shumta, kualitative dhe gjithnjë e më afër pacientit të Komunës së Gjilanit. Kështu në fillim të vitit kemi filluar me kontrollat sistematike të nxënësve nëpër shkolla për ta përfunduar në përfundim të vitit shkollor. Jemi ende në përpunim të rezultateve dhe me kohë do të dalim me të dhëna të përfituara”, tha drejtori Berisha.
Ai dha informatën se gjatë kësaj periudhe kanë arritur që të organizojnë konferencën për vizitat shtëpiake dhe përkujdesjen e nënës dhe fëmijeve, ku janë sjellur përvoja nga komunat tjera që kanë filluar këtë projekt.
“Me mbështetjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, kemi arritur që të organizojmë konferencën për vizitat shtëpiake dhe përkujdesjen për nënat dhe fëmijët. Kjo mbështetje ka bërë që ky program të sjellë rezultate konkrete dhe tashmë po vazhdon ky projekt nga një staf i trajnuar mirë dhe përkujdesja me vizitat në familje po shkon sipas planifikimit”, tha drejtori Berisha.
Në aspektin e infrastrukturës, drejtori Berisha, ka bërë të ditur se me mbështetjen e fuqishme të kryetarit Haziri, është arritur që deri në këtë fazë të përfundohen 90 për qind të renovimeve të objekteve të QKMF-së, QMF-ve dhe AMF-ve.
“Ne për dy vite kemi arritur që me përkrahjen e parezervë të kryetarit të Komunës të arrijmë renovimin e 90 për qind të objekteve në shëndetësinë primare. Kjo ka bërë që edhe shërbimet për pacientët të jenë më të mira. Gjithashtu, kryetari Haziri ka aprovuar edhe kërkesën e banorëve të fshatit Llashticë, për ndërtimin e ri të objektit ambulances dhe punimt priten të fillojnë shumë shpejtë”, ka pohuar drejtori i QKMF-së, Fjezulla Berisha.
Sa i përket furnizimit me barëra nga lista esenciale, ka thënë se është në nivelin e kënaqshëm dhe nevojat e Gjilanit në sektorin primar janë përmbushur rreth 80 për qind në aspektin e përgjithshëm.
“Në listën tonë kemi afërsisht rreth një mijë pacientë, për të cilët jepet insulin, ngase problemet e tyre janë me diabet dhe kërkohet një mbështetje e shtetit. Këtë kemi arritur mjaft mirë ta menaxhojmë për këtë periudhë. Por, nganjëherë për shkak të amortizimit të pajisjeve elementare është dashur që nga buxheti ynë të bëjmë blerje të pajisjeve dhe produkteve të tjera të domosdoshme, ngase të njejtat amortizohen me përdorim të vazhdueshëm kur kemi parasyshë çdo ditë kalendarike me një kohëzgjatje 24 orë shërbimi”, tha ai.
Në këtë konferencë me gazetarë, Berisha ka thënë se pritet që të nis objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, e i cili do të mundësoj që të kemi shërbime edhe më të mira dhe gjithnjë në favorin e pacientëve, projekt ky, i cili, investohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Një punë e madhe, sipas tij, është bërë pikërisht nga ky staf edhe sa i përket edukimit të të rinjëve, konkretisht për sëmundjet të caktuara si diabetin, këshilla për gjidhënien, rreziku nga konsumimi i duhanit, narkotikëve dhe sëmundje të tjera që shkaktohen nga moskujdesi.
Ndryshe, një falënderim Berisha ka dhënë edhe për të gjithë bashkëpunëtorët, e që lista e tyre është shumë e gjatë siç është Komuna e Gjilanit, respektivisht Zyra e Kryetarit, Spitali Regjional, Minstria e Shëndetësisë, Qendrën Trajnuese të Mjekësisë Familjare, Instituti Rajonal i Shëndetësisë Publike, Qendra për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare dhe të gjitha institucionet tjera, por edhe donatorët e shumtë që ka ky sektor i fuqishëm i shëndetësisë primare në Gjilan. /2L ONLINE/