DYLON

Berisha: Drejtoria e Kadastrit më efikase se sa vitet paraprake

Avatar photo Redaksia

(2L ONLINE) – Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, gjatë këtij viti ishte mjaft aktive duke ofruar shërbime të shpejta dhe kualitative për qytetarët dhe institucionet e ndryshme, në kuadër të ligjit dhe akteve nënligjore që e rregullojnë fushën e Gjeodezisë, Kadastrit dhe Banimit ka thënë në një konferencë për media drejtori Sadudin Berisha.

Me këtë rast drejtori Berisha ka thënë se kjo drejtori po e mbyllë vitin me një volum shumë të madh të punëve që ka trajtuar që nga matjet e rrugës për hyrje – daljet e qytetit Gjilan – Prishtinë, Gjilan – Bujanoc, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet matja e asaj për Ferizaj dhe për Preshevë e që i hapin sipas tij rrugë investimeve në këto rrugë gjatë të ardhmes.

EkoHigjiena

“Kemi kryer matjet për hyrje-daljet e qytetit dhe kështu është hapur rrugë investimeve të mundshme gjatë të ardhmes. Ka mbetur të bëhen matjet në rrugën për Ferizaj dhe për Preshevë, ndërsa më pas do të merremi edhe me matjet në rrugën qarkore. Poashtu, janë dhënë edhe shumë shërbime të tjera të cilat janë në kompetencën e kësaj drejtorie. Kemi arritur që përmes koordinimit të brendshëm, efikasitetit me palët dhe punëve të kryera, të kthejmë besimin e qytetarëve në këtë drejtori pa u diskriminuar askush”, ka thënë Berisha.

Ai tha se gjatë këtij viti kanë pranuar rreth 20 mijë kërkesa të ndryshme, duke përfshirë sektorin e banimit, matjeve të ndryshme, bartjeve, uzurpimeve, ankesave, lëndëve nga gjykata, trashëgimisë, hipotekat etj.

Ai gjithashtu ka thënë se janë identifikuar hapësirat të cilat duhet të shpronësohen në zonat e planifikuara urbane dhe po vazhdohet me incizim të gjendjes.

“Kemi identifikuar hapësirat që duhet të shpronësohen sipas planit urbanistik si në lokacionin “Fidanishte” dhe “Kampin Montith” dhe gjithsej kemi 382 parcela në të cilat duhet bërë shpronësime, ndërsa matjet dhe incizimi i gjendjes është duke u bërë edhe në “Livadhet e Arapit””, theksoi ai.

Poashtu, në këtë drejtori ka pasur edhe sfida dhe probleme me shpronësimet e viteve më parë.
“Gjatë vitit 2014 jemi ballafaquar edhe me sfida të pa planifikuara, me rastin e incizimit të gjendjes faktike në rrugën Gjilan – Prishtinë. Kemi gjetur se shpronësimet e bëra gjatë vitit 1974, me rastin e ndërtimit të rrugës aktuale Gjilan – Prishtinë, nuk kanë përfunduar me ndërrimet kadastrale edhe në librat kadastral e që këtë e ka bërë mungesa e dokumentacionit, periudha e gjatë kohore, lufta e vitit ’99 etj, ka bërë që ne të ballafaqohemi me një sfidë jashtëzakonisht të rëndë. Por, falë angazhimit të ekspertëve kemi arritur që përmes arkivit ndër-komunal të sigurojmë pjesën dërmuese të dokumentacionit. Këto shpresojmë që të ndërrohen gjatë janarit të vitit 2015”, pohoi Berisha.

Gjatë vitit 2015 do të mbyllen shpronësimet në lumin “Mirusha” dhe “Stanishorka”, sepse mundësitë buxhetore do të jenë shumëfish më të mëdha dhe realizimi i kompensimit do të realizohet sipas dinamikave dhe prioriteteve.

“Kemi regjistruar 7610 metra katror të pronës nga ajo private në atë publike me një kompensim financiar pre 485 mijë euro, apo për një metër katror mesatarisht kompensimi bënë 53.68 euro për metër katror”.

Ai tha se edhe sa i përket uzurpimeve kanë punuar me përkushtim gjatë këtij viti dhe kështu do të vazhdohet edhe gjatë vitit 2015.

“Mbi 47 raste të trajtuara të uzurpimeve në Komunën e Gjilanit, prej të cilave për një pjesë kanë përfunduar procedurat, ndërsa për një pjesë nuk është konstatuar se ka uzurpim dhe janë mbyllur lëndët”, tha ai.

Në shpenzimin e parasë publike kjo drejtori ishte shumë e vendosur në ruajtjen e parasë shtetërore, duke arsyetuar atë me aktivitet dhe përkushtim.

“Sa i përket reprezentacionit në këtë drejtori, nuk është shpenzuar asnjë cent. Ndërsa borxhet e krijuara gjatë vitit 2014 janë paguar 100%. Por edhe shpenzimet e krijuara gjatë vitit 2013 dhe 2012 thuajse janë paguar”, tha drejtori Berisha duke shtuar se kështu me këtë mbikëqyrje buxhetore do të vazhdohet edhe më tutje.

Ndërsa, në kuadër të numrit të lëndëve të trajtuara jashtë afatit ligjor ai ka thënë se edhe në këtë drejtim ka përmirësime të dukshme.

“Në bazë të Auditimit i cili është mbyllur me 31 nëntor në këtë drejtori, del se gjatë vitit 2013, jashtë afatit ligjor janë trajtuar mbi 1890 lëndë apo kërkesa të ndryshme të adresuara nga qytetarët apo institucionet. Ndërsa, gjatë vitit 2014 janë trajtuar jashtë afatit ligjor, pa fajin e drejtorisë për shkak të mungesës së dokumenteve bazike të cilat kanë ndikuar në rezultatin e vendimeve përfundimtare vetëm 198 kërkesa, apo në përqindje del se efikasiteti ishte më i mirë për më shumë se 1000%. Po punojmë që lëndët të cilat nuk lidhen me afate ligjore të përfundohen të gjitha deri më 31 dhjetor 2014”, ka përfunduar drejtori Berisha. /2L ONLINE/