“Bereqeti” ndihmon me dru për ngrohje katër familje me jetimë
Shoqata Humanitare “Bereqeti” – Dega në Gjilan, e cila vepron në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan njofton se, në kuadër të aktiviteteve humanitare dhe në mbështetje të familjeve në nevojë, një dhurues anonim ka mundësuar sigurimin e druve për ngrohje për katër familje jetima.
Iljaz ef. Mustafa, koordinatori i degës ka thënë se secila familje është furnizuar me nga katër metra dru, me qëllim që t’u lehtësohen kushtet e jetesës gjatë periudhës së të ftohtit dhe dimrit.
“Shoqata “Bereqeti” shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj dhuruesit, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim dhe që këtë vepër bamirësie e ka bërë për hir të Allahut të Madhëruar.
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe çfarëdo të mire që të bëni, Allahu e di atë.” (Kurani, El-Bekare, 197).
“Lusim Allahun e Madhëruar që ta pranojë këtë vepër të mirë, ta shpërblejë dhuruesin me shpërblimin më të mirë, t’ia shtojë bereqetin në pasuri e familje dhe ta bëjë këtë sadaka shkak për mirësi në këtë botë dhe shpërblim në Ahiret. Zoti i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuojnë në lehtësimin e jetës së familjeve në nevojë dhe i bëftë bamirësit gjithmonë shkak të mirësisë dhe solidaritetit në shoqërinë tonë”, ka thënë Iljaz ef. Mustafa, koordinatori i Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, Dega në Gjilan.
Ai ka falënderuar edhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës për ndihmën teknike në realizim të këtij aktiviteti humanitar. /2LONLINE/
