DYLON

“Beqir Musliu” dhuron libra për “Adem Kastratin”

“Beqir Musliu” dhuron libra për “Adem Kastratin”
Avatar photo Redaksia

Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, në Gjilan, ka dhuruar mbi shtatëdhjetë tituj librash për bibliotekën e shkollës së artit pamor “Adem Kastrati”.

Sabit Rrustemi, krijues dhe drejtues i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, ka thënë se praktika e dhurimit të librave për biblioteka shkollash, ka filluar shumë vite më parë dhe e njëjta po vazhdon e do të ndiqet dhe në të ardhmen.

EkoHigjiena

“Këtë e bëjmë se duam ta sjellim librin më afër nxënësve, edhe si mundësi për t’u lexuar, edhe si shumësi përzgjedhjesh për ta. Në këtë kontingjent që sot po e ofrojmë si donacion për bibliotekën e shkollës së artit pamor, ka libra në prozë,  poezi e kritikë letrare. Një pjesë e tyre, janë libra të autorëve të anës sonë, siç ka dhe të tjerë autorë që janë jashtë kësaj hapësire, por që kanë shkruar për krijuesit e Anamoravës dhe veprën e tyre”, ka thënë Rrustemi, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Në anën tjetër, Roland Masurica, drejtor i shkollës, ka falënderuar për këtë duke shtuar se kjo është një ndihmë shumë e rëndësishme për bibliotekën e shkollës.

“Ne do të jemi mirënjohës për këtë që keni bërë sot. Nxënësit tanë, këtë vit shkollor, krahas faktit që mësimet po ndjekin në objekt të ri, për herë të parë që nga themelimi i shkollës, kanë dhe bibliotekën e shkollës, e cila me këta tituj të sotëm që po na dhuroni pasurohet edhe më shumë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Agim Kajtazi, profesor i shkollës dhe përgjegjës për bibliotekën, ka pohuar se gjesti i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, meriton vlerësimet të larta, transmeton 2LONLINE.com.

“Këtë ndihmë e konsiderojmë si mbështetje në misionin tonë ta vazhdueshëm, afirmimin e rëndësisë që ka leximi, e të cilën puna na obligon ta pohojmë në vazhdimësi. Tani kur librat janë më afër fjalëve kur flitet për ta, pesha e gjestit tuaj bëhet  shumë kuptimplote”, ka thënë ai duke falënderuar z. Rrustemi dhe profesorin Muhamet Sadriu, i cili, nga fillimi, s’ka pushuar se ndihmuar në përpjekjet për pasurim të bibliotekës së shkollës me libra.  /2LONLINE/