Bekim Çollaku: Marrëveshja e 19 prillit do t’i normalizojë raportet
Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili që nga fillimi i dialogut ishte pjesë e këtij procesi, ka folur për “Epokën e re” me rastin e shënimit të dyvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë, e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, e arritur dy vjet më parë, ka qenë dhe vazhdon të jetë e një rëndësie shumë të madhe si hap i parë i nivelit më të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve. “Edhe nga pikëpamja historike, kjo marrëveshje ka një peshë të madhe meqë ka paraqitur një qasje të re ndaj zgjidhjes së problemeve mes dy vendeve dhe popujve, pas një periudhe më shumë se njëqindvjeçare të armiqësisë. E meriton një vlerësim pozitiv nga ky aspekt”, është shprehur Çollaku.
Ai ka folur për qëllimet që ka pasur arritja e kësaj marrëveshje. “Nga pikëpamja se çfarë është arritur nëpërmjet saj, së pari duhet shikuar se cilat kanë qenë disa nga qëllimet. Një nga qëllimet kryesore ka qenë që nëpërmjet dispozitave të kësaj marrëveshjeje të krijohen kushte të volitshme për integrimin e pakicës serbe në kornizën ligjore dhe institucionale të Republikës së Kosovës. Qëllim tjetër ka qenë shuarja e institucioneve paralele të jashtëligjshme të Serbisë që ka vepruar në veri të vendit. Po ashtu, janë bërë një sërë veprimesh që kanë ngritur nivelin e mirëbesimit mes palëve në mënyrë që të ndërmerren edhe hapa të tjerë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve në dy anët e kufirit”, ka deklaruar Çollaku.
Ai ka thënë se nga kjo perspektiv pritjet kanë qenë se zbatimi i kësaj marrëveshje do të bëhet më shpejt por, sipas ministrit Çollaku, pala serbe ka ngadalësuar zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Nga kjo perspektivë pritjet kanë qenë se zbatimi i saj do të bëhet më shpejt, por pala e Serbisë shumë shpesh dhe për periudha të gjata është vonuar duke e ngadalësuar procesin, kjo duke u munduar t’i interpretoj pikat e marrëveshjes në mënyrë shumë të njëanshme apo ta instrumentalizojë çdo hap përpara në zbatim për përfitime të tjera në raport me BE-në, që mendoj se ka prodhuar më shumë kundërefekt sesa dobi. Duke qenë se ky proces është ngushtë i lidhur me avancimin në procesin e integrimit evropian, Serbia do të duhet të jetë më e vendosur në përmbushjen e zotimeve të veta në mënyrë që të mund të shihet si një aktor kredibil dhe stabil në rajon dhe në raport me BE-në”, ka thënë ministri Çollaku.
Ai thotë se marrëveshja e arritur më 19 prill, para dy vjetëve, duhet të zbatohet sa më shpejt, ashtu siç parashihet me ligjet e Republikës së Kosovës. “Kjo marrëveshje, e cila tani po i mbush dy vjet, duhet të zbatohet sa më shpejt siç përshkruhet edhe në tekstin e saj, në pajtim me ligjet e Kosovës. Duke qenë se edhe zyrtarisht kjo quhet ‘Marrëveshja e Parë’, zbatimi i saj duhet t’u krijojë hapësirë marrëveshjeve të reja që çojnë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve që do t’i sigurojë të dyja vendet të integrohen në BE si dy shtete të pavarura”, ka deklaruar Bekim Çollaku.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=61895&Ctype=1
