Banorët e fshatit kufitar, Mjak që aktualisht është i pabanuar, pohojnë të kenë marrë ofertë nga autoritetet maqedonase që nëse pranojnë të jenë pjesë e këtij shteti, do të investohet aty dhe të kthehet jeta këtij fshati. Përfaqësuesi i fshatit Mjak, Muharrem Beqiri ka theksuar se përpos asfaltimit të rrugës nga ana e territorit maqedonas që e ndajnë vetëm 500 metra, atyre u është premtuar edhe ndërtimi i shtëpive të shkatërruara nga lufta në Kosovë. Autoritetet komunale të Vitisë e quajnë joserioze këtë ofertë dhe shprehen se kjo çështje i takon nivelit të lartë shtetëror.
Fshati Mjak i Komunës së Vitisë, që nga viti 1998 kur aty hynë forcat serbe është i boshatisur. Për të joshur banorët që t’i kthehen fshatit, autoritetet maqedonase i kanë bërë ofertë banorëve që të pranojnë të jenë pjesë e territorit të Maqedonisë përmes lidhjes me rrugën e asfaltuar që ka një distancë prej 500 metrash, shkruan RTK.
Muharrem Beqiri, përfaqësues i fshatit, i tha Radio Kosovës se kjo ofertë i është ardhur përmes banorëve të Mjakut që jetojnë në Maqedoni, ndërkohë që interesimin për këtë ofertë nuk e kanë shprehur ata.
Fshati Mjak është i prekur edhe nga ratifikimi i kufirit Kosovë-Maqedoni duke ndarë këtë lokalitet në dysh, por mos prezenca e banorëve në këtë fshat, ka ndikuar që kjo çështje të mos sensibilizohet.
Por, udhëheqësit komunal të Vitisë, ofertën e quajnë joserioze. Avdyl Bajrami zëvendëskryetar i Komunës së Vitisë, thekson se çështja e kufijve është në kompetenca të niveleve të larta ndërshtetërore dhe Mjaku është në territorin e komunës së Vitisë.
Banorët e Mjakut të Vitisë deklarohen se ata janë shtetas të Kosovës dhe nuk pranojnë çfarëdo oferte nga shteti maqedonas, por kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa për ta kthyer jetën në fshat, sepse që 15 vite ata janë mbetur në harresë.