Ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesja zvicerane, kundërshtari me të cilin skuadra jonë kombëtare do të luajë të premten, në “Qemal Stafa”. Sigurisht që, vëmendja më e madhe e mediave tona është përqendruar te futbollistët shqiptarë, që aktivizohen në këtë skuadër. I vetmi, që nuk ka pranuar të flasë para ndeshjes, ka qenë futbollisti i Bayern Munich, Xherdan Shaqiri.
“Nuk guxoj të flas përpara lojës”, ishin fjalët e vetme të yllit të bavarezëve, Shaqiri.
“Jo aspak, ndoshta të premten, përpara lojës po”, u shpreh Granit Xhaka, i pyetur nëse ishte i emocionuar që do të luante si kundërshtar i kuqezinjve tanë.
“Është një ndeshje normale, si gjithë të tjerat kur luhet futboll”, deklaroi Valon Behrami. Një ditë më parë, Tifozët Kuqezi u bën thirrje futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, që të mos aktivizohen në ndeshjen e së premtes, por Behrami ka pohuar se puna dhe ndjenjat janë dy gjëra krejt të ndryshme.
“Përse të mos luajmë? Është vetëm futboll, tjetër gjë është jeta, tjetër gjë futbolli, tek e fundit është vetëm një lojë”, deklaroi Behrami.
“Nuk e di, e kemi parë në Zvicër se si jemi pritur, tani të shohim se çfarë na kanë përgatitur këtu”, shtoi më tej Xhaka.
Edhe pse i mjafton 1 pikë për t’u kualifikuar për në Botërorin “Brazil 2014”, Blerim Xhemajli pohon se skuadra helvete ka ardhur për fitore në kryeqytetin shqiptar.
“Po, neve na duhet vetëm 1 pikë, por unë do të luaj si çdo herë për fitore. Është normale që të gjithë të luajmë për fitore”, tha Xhemajli. /TCH/