Bëhet publike kandidatura e parë zyrtare për kryetar të PDK-së në Gjilan

Bëhet publike kandidatura e parë zyrtare për kryetar të PDK-së në Gjilan

Flurim Arifi ka bërë publike ambicien e tij për zgjedhjet e brendshme në PDK, si kandidat për kryetar të Degës së PDK-së në Gjilan.

Ai ka bërë me dije se ky përcaktim i tij vjen me bindjen e thellë se para veti ka shumë sfida, shumë punë dhe shumë shpresë në reformimin e brendshëm të PDK-së dhe rizgjimin e saj pas dy mandatesh si opozitë konstruktive në Kuvendin e Komunës.

“Në shoqëritë demokratike, si kjo e jona, reformimi i partisë nënkupton edhe reformim të shoqërisë. PDK ka struktura dhe rrjet të gjerë të nëndegëve të saj. Ajo ka traditë, ka përvojë në qeverisje dhe shtet ndërtim” ,ka thënë Arifi, transmeton 2LONLINE.

Më poshtë po e japim të plotë adresimin e tij të parë, pas këtij vendimi që ka marrë, për t’i hyrë një gare të tillë.

***
Të nderuar qytetarë të Gjilanit, anëtarë, aktivistë, simpatizues dhe votues të Partisë Demokratike të Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve, invalid dhe veteran të luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar ish të burgosur politik,

Të nderuar banorë të dhjetëra fshatrave të komunës sonë dhe ju banorë të zonës urbane ,

Të nderuar arsimtarë, profesorë, studentë, bujq, blegtorë, tregtarë, ndërmarrës të rinj e të vjetër, artistë, sportistë, punonjës të administratës komunale e të shëndetësisë, argjendarë, bukëpjekës, dhe të gjithë ju që jetoni nga puna e juaj me nder e përkushtim,

Të nderuar anëtarë të devotshëm të PDK-së dhe ju anëtarë të subjekteve tjera politike që veprojnë në Gjilan!

Sot, duke ju drejtuar ju, po e bëj publike ambicien time për zgjedhjet e brendshme në PDK, si kandidat për kryetar të Degës së PDK-së në Gjilan.

Ky përcaktim i imi vjen me bindjen e thellë se para veti kemi shumë sfida, shumë punë dhe shumë shpresë në reformimin e brendshëm të PDK-së dhe rizgjimin e saj pas dy mandatesh si opozitë konstruktive në Kuvendin e Komunës.

Në shoqëritë demokratike, si kjo e jona, reformimi i partisë nënkupton edhe reformim të shoqërisë.

PDK ka struktura dhe rrjet të gjerë të nëndegëve të saj.

Ajo ka traditë, ka përvojë në qeverisje dhe shtet ndërtim.

Gjatë rrugëtimit tonë si parti, kemi pasur suksese ndonëse meshumë vështirësi dhe pengesa objektive, sikundër edhe gabime që na kanë përcjellë në ecjen tonë politike.

Secila parti kalon në peripeci të tilla, herët apo vonë.

Gjilani tash ndodhet në një momentum ku politikat e tri dekadave kanë dhënë maksimumin e tyre, tani është nevoja për mendësi të re politike.

Pra, është koha që të mos qëndrojmë anash, por të kyçemi drejtpërdrejt.

Vizioni im për Gjilanin mund të jetësohet përmes angazhimit në partinë më të madhe opozitare, si PDK-ja, aty ku jam që nga themelimi i saj.

Po i hy kësaj gare, duke qenë i barabartë me secilin konkurrent, të cilit, natyrshëm, i dëshiroj suksese. Për të garantuar sukses, duhet krijim të besimit dhe shpresës jo vetëm te votuesit e anëtarët e PDK-së, por edhe duke mbjellur shpresë për ndryshim te të gjithë qytetarët e komunës sonë të dashur, Gjilanit.

Jam i vetëdijshëm se duhet dhënë diçka të re, duke konsultuar edhe përvojat e drejtuesve të mëhershëm.

Duhet lënë anash gabimet që janë bërë në të kaluarën, qoftë me dashje apo pa dashje. Brenda PDK-së shoh një potencial, dëshirë dhe vullnet për ta freskuar partinë, me mentalitet të ri qeverisës, ide të reja, program e vizion të ri për Gjilanin.

Gjilani me PDK-në e dobët, dëmtohet shumë dhe projektet e saj zvarriten.

Gjilani për dy mandate po udhëhiqet nga LDK-ja, dhe kjo për shkak se PDK nuk ka kultivuar traditën e zhvillimit të kuadrove të reja, në mënyrë që ato të sjellin energji dhe ide të reja në përputhje me detyrat e reja të PDK-së në opozitë.

Partia është si shoqëria, me nevojën, dijen, energjinë dhe përvojën e secilit brez, por drejtimi i saj duhet t’i besohet tashmë të ardhmes, gjegjësisht dekadës së re.

PDK, me zbehjen e unitetit të brendshëm, me nxitimin protagonist, me distancimin nga anëtarët e degës dhe nëndegëve, u ka lënë terrenin të tjerëve për fitore.

Fitorja e rivalëve ka ardhur edhe për shkak të demotivimit të brendshëm dhe tënjë atmosfere brenda PDK-sëku nuk janë vlerësuar meritat e secilit dhe secilës anëtare.

Njerëzit reagojnë ndaj mosmirënjohjes dhe i mirëkuptoj plotësisht. Mirëpo, inati nuk është i pafund.

Njerëzit dhe lidershipi i ri mundëson besim, energji dhe motivim të ri.

Nëse më besoni drejtimin e partisë, unë zotohem se do ta udhëheqim së bashku deri në rikthimin e fitoreve të reja në Gjilan!

Po ashtu, zotohem se do të jem kryetar i të gjithëve pa dallim dhe do të përfaqësoj interesin e Gjilanit dhe qytetarëve tanë, kudo!

Faleminderit!
Me respekt,
Flurim Arifi

 

KOMENTE