Hogosht: Bëhet përurimi i E-kiosk-ut për pajisje me certifikata të gjendjes civile

Hogosht: Bëhet përurimi i E-kiosk-ut për pajisje me certifikata të gjendjes civile

Nga sot të gjithë banorët e fshatit Hogosht dhe fshatrat përreth do të mund të pajisen me certifikata të gjendjes civile nga E-kiosku i vendosur në qendër të fshatit tek objekti i Postës.

Përurimin e E-kioskut në fshatin Hogosht e ka bërë Drejtoresha e Drejtorisë së Administratës Komunale të Kamenicës, Brikenë Ramabaja.

I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se me këtë projekt po jetësohet edhe një zotim i dhënë, për të ofruar shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët.

“Jemi zotuar që shërbimet administrative për qytetarë do t’i lehtësojmë, dhe kjo po bëhet duke funksionalizuar E-kioskun edhe në fshatin Hogosht. Tani banorët e fshatit Hogosht dhe të fshatrave përreth mund të marrin dokumentet e nevojshme administrative gjatë 24 orëve, pa pasur nevojë të presin në sportele. Falënderoj Drejtoren e Administratës, Brikenë Ramabaja, për punën e pandalshme që ky projekt të zbatohet edhe në këtë fshat, ndërsa banorët uroj t’i gëzojnë këto shërbime. Vazhdojmë me punë”, tha ai.

Gjithashtu edhe drejtoresha, Brikenë Ramabaja, u shpreh e lumtur që qytetarëve tanë po iu mundësohen shërbime sa më të lehta dhe fleksibile.

“Puna dhe përkushtimi ynë ka në qendër mirëqenien e qytetarëve. Digjitalizimi i shërbimeve administrative do të lehtësoj punën e secilit qytetarë. Këto e-kioske do t’i ofrojnë shërbim të shpejt, efikas dhe transparent secilit qytetarë”, shtoi Ramabaja.

Shërbimet të cilat ofrohen në E-Kiosk çdo ditë për 24 orë:

· Certifikata e lindjes;

· Certifikata e lindjes së fëmijës;

· Ekstrakti i lindjes;

· Ekstrakti i lindjes së fëmijës;

· Certifikata e vendbanimit;

· Certifikata e shtetësisë;

· Certifikata e martesës;

· Fatura e tatimit në pronë.

Të gjitha këto shërbime do të jenë të qasshme për qytetarët pasi të të ofroni dokumentin identifikues apo të dhënat që ju kërkohen në monitor. /2LONLINE.com/

KOMENTE