/2L ONLINE/ – Në nderim të rënies së dëshmorit Agim Rashiti, sot janë mbledhur për të bërë homazhe pranë lapidarit të dëshmorit Agim Rashiti, të cilin e kanë kujtuar udhëheqësit e institucioneve lokale dhe qendrore, mjekë, sportistë dhe familjarë. Me këtë rast në fjalën e saj, kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, nënkryetari i Komunës dhe drejtor të drejtorive komunale, ka thënë se homazhi për dëshmorët është me e pakta që mund të bëjmë nga ana jonë.
“Kjo është më e pakta që ne mund të bëjmë për dëshmorët dhe familjet e tyre. Nga këto takime ne përherë dalim edhe më të përkushtuar që të vazhdojmë me punë në zhvillim, ndërsa familja dhe kolegët duhet të bëhen të fortë për njeriun e tyre që kishin me vlera të larta shoqërore dhe kombëtare”, ka thënë ajo ndër të tjerash.
Kurse nga ana e tij nënkryetari Rexhep Kadriu ka thënë se vetëm atëherë kur gjindemi para lapidarëve e kuptojmë se sa e dhembshme dhe me sa sakrifica është arritur liria.
“Vetëm në rastet kur jemi para dëshmorëve, heronjëve dhe martirëve, e kuptojmë vërtetë mungesën e madhe që ata kanë lënë në mesin tonë. Njëkohësisht kuptojmë edhe realitetin e sakrificës së madhe që ata bërë për lirinë e Kosovës. Liria vërtetë është shumë e shtrenjtë, ajo ka marrë me vete shumë djemë e vajza për Kosovën e lirë”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Kurse në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur, Nevzad Rushiti, i cili ka falënderuar të gjithë që edhe pas 27 vjetëve, siq ka thënë ai, nuk është harruar Agimi dhe veprimtaria e tij për Kosovën.
Me vizita në këtë familje ka përfunduar edhe shënimi i kësaj dite. /2L ONLINE/