Bëhen 10 ditë nga zhdukja e një 14-vjeçareje në Viti, nëna e saj kërkon ndihmë për gjetjen e vajzës

Bëhen 10 ditë nga zhdukja e një 14-vjeçareje në Viti, nëna e saj kërkon ndihmë për gjetjen e vajzës

Një vajzë 14-vjeçare me banim në fshatin Vërbovc, ka 10 ditë që është zhdukur në rrethana misterioze. Familja e ka raportuar ngjarjen në Polici të cilët kanë nisur kërkimet, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë mbi vendndodhjen e adoleshentes e cila rezulton e zhdukur që prej datës 7 qershor të këtij viti, raporton Plus TV.

Nëna Zenetije Kasami, ka ardhur në redaksinë e Televizionit, duke treguar se ka 10 ditë që ka humbur kontaktet me vajzën e saj, Fatimen, dhe kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur atë.

Sipas saj, në ditën e 7 qershorit, Fatmija pasi kishte mbaruar mësimin në shkollën e fshatit Raminishtë të Vitisë, me autobus ishte nisur për në qytet, por nuk është kthyer më në shtëpi dhe as nuk i është lajmëruar familjes.

“Nga data 7 qershor, e hënë, nuk dim asgjë për vajzën, ajo prej shkollës në fshatin Raminishtë ku mëson është nis për në Viti me autobusë, aty pas orës 11:00 dhe më nuk është kthyer në shtëpi, një telefon që e ka pas me vete nuk po i bën, është në klasën e tetë. Po atë ditë e kam vërejt se çika nuk po vjen në shtëpi, kemi kërkuar gjithandej por asgjë, ajo është 14 vjeç. Kam shkuar në Polici kam njoftu për rastin, ata kanë filluar me kërku por ende nuk kanë mundur ta gjejnë. Me vete ka pas çantën e shkollës me libra, qysh u kanë gati për shkollë, ka pas veshur pantolla të zi dhe një bluz të hirt dhe me mbathje të bardha. Ajo thuhet se ka zbrit në stacionin e autobusëve në Viti ditën e hënë 7 qershor, dhe më askush nuk din se ku ka shkuar”, u shpreh ajo e shqetësuar për fatin e të bijës.

Sipas kësaj nëne, kjo nuk është hera e parë që ndodh kjo dhe kërkon ndihmën e qytetarëve dhe të autoriteteve për ta gjetur. Njësitet policore janë duke hetuar rastin, është informuar edhe prokurori.

Policia, fton qytetarët, që nëse marrin ndonjë informacion për vendodhjen e saj, të njoftojnë menjëherë stacionin policor më të afërt, ( tel .192).

BURIMI: PlusTV

KOMENTE