Bashkimi Evropian konfirmon edhe zyrtarisht qëllimin për themelimin e një Gjykate të veçantë e cila do të merrej me dyshimet për krime lufte në Kosovë. Në një përgjigje me shkrim për RTK-në zyra e BE-së sqaron se Bashkimi Evropian nuk është duke propozuar themelimin e një Tribunali por të një Gjykate të veçantë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Kjo Gjykatë do të kishte bazën në Kosovë por sesionet e ndjeshme duke përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve do të zhvilloheshin jashtë vendit duke marrë parasysh natyrën e dyshimeve. Së dyti kjo gjykatë nuk është për Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo natyrën e luftës por ka të bëjë me hetimin e dyshimeve për akte të rënda kriminale të individëve, transmeton RTK.
Gjykata do të formohet pas këmbimit të letrave për Task Forcën Speciale të Hetimeve dhe mandatit të EULEX-it ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe miratimit të tyre nga ana e Kuvendit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të zyres së BE-së.