BE-ja në anën e Serbisë, tani edhe publikisht

BE-ja në anën e Serbisë, tani edhe publikisht

Tanimë nuk ekziston asnjë arsye për t’i besuar Bashkimit Evropian (BE), madje as të vazhdohet dialogu me Serbinë duke qenë prezente kjo udhëheqje e BE-së.

Shkruan: Ardian Azemi

Ky nuk është ndërmjetësim, as nuk mund të quhet dialog dypalësh me ndërmjetësim.

Kemi dialog veç mes dy palëve, Kosova në njërën anë, dhe Serbia e BE-ja në anën tjetër, domethënë Kosova nuk e ka vetëm Serbinë përball, por edhe përfaqësuesit e BE-së.

Sikur kishim menduar se BE është shumë e inetersuar të prodhohet një marrëveshje mes palëve, dhe sikur po e luan rolin e lehtësueses së dialogut. Jo, ishim gabuar, sepse BE nuk qenka e interesuar me prodhua zgjidhje, por me e copëtua Kosovën, kështu me ia plotësua apetit Serbisë.

Frederika Mogherini vazhdimisht e ka provokuar Kosovën, natyrisht duke ia mundësuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe opozita e cila asnjëherë nuk bëri asnjë hap që dëshmon se e duan një Republikë për të cilën vazhdimisht flasin. Iu kërkua heqja e taksës, dhe kjo ishte provokim i BE-së ndaj Kosovës. Nëse qeveria do ta hiqte taksën, atëherë do të përballeshim me kërkesa të tjera.

Edhe reagimi i djeshëm skandaloz i BE-së përkitazi me ligjin për Trepçën, është provokim i radhës. Duke parë vendosmërinë e qeverisë, rrjedhimisht kryeministrit Haradinaj për taksën, kërkoi që Trepça të jetë temë e dialogut në Bruksel, dhe kur diçka shtrohet në tavolinë, nënkupton heqje dorë nga ajo për të cilën po bisedohet.

Reagimi i Kosovës ishte i ashpër, dhe kjo e mbanë Republikën në këmbë. Sikur reagimi të ishte me mirësjellje dhe i butë, do të hapte rrugë që me komoditet të shtrohet në tavolinë edhe territori, edhe asociacioni me kompetenca ekzekutive, edhe kufijtë.

Pas këtyre zhvillimeve, qeveria e Republikës së Kosovës, gjegjësisht kryeministri Haradinaj, duhet ti drejtoi një letër përfaqësuesve të BE-së sqarim të hollësishëm përkitazi me këto deklarata për Trepçën.

Përveç kësaj, duhet t’iu kërkohet një shpjegim se a ka reaguar BE ndaj Serbisë për injorimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, a ka reaguar BE kundër Serbisë për kërcënimet që po iu bëhen pjesëtarëve të FSK-së nga pakica serbe në Kosovë, kur ka reagua BE ndaj Serbisë për luftën diplomatike kundër Kosovës, dhe shumë paqartësi tjera.

Kryeministri Haradinaj bashkë me ekipin negociator, duhet të pezullojnë çdo aktivitet që ndërlidhet me dialogun përderisa nuk kemi një qartësim për pozicionin e BE-së në këtë proces.

Po ashtu, Haradinaj duhet ta thërret një takim të përbashkët me të gjitha partitë politike, parlamentare dhe jo parlamentare, me shoqërinë civile, mediat, dhe me Kuint-in dhe bashkërisht ti diskutojnë këto tema dhe t’i bëhet e qartë edhe opozitës edhe ambasadorëve se Kosova nuk lëvizë nga e drejta e saj për të gjitha arsyet ekzistuese dhe shumë të forta.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm për rrethanat aktuale. Kosova ndodhet në një pozitë të rënd, dhe si çdo herë në historinë tonë, ekzistojnë individë brenda llojit të cilët për interesa të tyre ose të dikujt tjetër, propagandojnë, trillojnë, inskenojnë, dhe bëjnë përpjekje të imponojnë idetë e tyre e që bien ndesh me të drejtën tonë, të vërtetën, dhe përpjekjet për një shtet sovran dhe të integruar.

Për fatin tonë të keq, të tillë individë nuk janë pak, porse duhet t’i injorojmë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE