BE-ja e ka pranua, por si ta bindim opozitën se Kosova i ka plotësua kriteret?!

BE-ja e ka pranua, por si ta bindim opozitën se Kosova i ka plotësua kriteret?!

Kemi ardhur në një situatë kur nuk po arrijmë ta kuptojmë kush është me Kosovën dhe kush kundër saj. Bashkimi Evropian na thoshte votojeni demarkacionin me Malin e Zi, dhe menjëherë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Me njëqind gazepe Kosova e ratifikoj atë marrëveshje e cila veç pati bërë bujë të madhe edhe në mediat botërore.

Shkruan: Ardian Azemi

Na thanë hajdeni ta luftojmë edhe korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe u kry puna e vizave. Kosova i plotësoi të gjitha kriteret, madje iu bëri ball edhe të gjitha eksperimenteve, dhe në fund vjen një zyrtar i lartë i BE-së dhe pa fije turpi deklaron se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara nga institucionet e Bashkimit Evropian, porse duhet të prisni deri në vitin 2020.

Shumë thjeshtë! Kosova, në vend që të organizohet dhe unifikohet për ti bërë ballë sulmeve që vijnë nga Serbia dhe diskriminimit nga BE-ja, thërrasin seanca të jashtëzakonshme, madje me nënshkrime false, për të diskutuar, në fakt për ta kritikuar Qeverinë e Kosovës, në këtë rast Kryeministrin Haradinaj për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Institucionet më të larta të BE-së thonë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara, opozita në Kosovë thotë se BE ka deklarua veç sa për sy e faqe sepse Kosova nuk i ka plotësua kriteret e përcaktuara.

Kur e analizon këtë çështje, shohim se një qëndrim të njëjtë e ka edhe Serbia kundrejt Kosovës. Mbajmë mend se kishim dëgjuar zëra se opozita në Kosovë është angazhuar denjësisht që Kosova mos të fitoi të drejtën e lëvizjes së lirë, për më keq, kjo i është thënë delegacioneve nga BE-ja që kishin vizituar Kosovën se heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, rrezikon një fluks të madh të kosovarëve drejt shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Institucionet e Kosovës ngarendin për ti përmbushur kriteret, ndërsa opozita duke u angazhuar çdo ditë për t’ia pamundësuar Kosovës heqjen e vizave, sinqerisht, të krijon bazë të fortë për dyshime jo thjeshtë sipërfaqësore. Unë e kuptoj çdo përpjekje opozitare për t’ia shkurtua sa më shumë jetën pushtetit, sepse është demokratike dhe logjikisht e pranueshme, mirëpo, duhet me pas bre pak moral, mos me dëmtua gjithçka që është krijuar me shumë mund e shpenzime, dhe me shkelë mbi çdo gjë që na takon të gjithëve, diçka që është e përgjithshme.

E keni parë mënyrën se si është organizua një takim ndërmjet zyrtarëve të lartë të LDK-së me Komisionarin Johannes Hahn, pa ndonjë paralajmërim. Për më tepër, fotografia e përbashkët dhe disponimi që shpërfaqet përmes fotografisë, krejt pas lajmit të hidhur për qytetarët e Kosovës, për mendimin tim i ngjason festës që u bë me rastin e dështimit të Kosovës për tu bërë pjesë e Interpolit. Besoj, e keni parë festën me Shampanjë!

Nuk është gjithçka e pa menduar mirë, në fakt çdo gjë është e analizuar deri në detajin e fundit. Deshëm ose jo ta pranojmë, Presidenti Thaçi suksesshëm po arrin të ushtroj kontroll mbi dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, dhe Vetëvendosjen.

Për me kuptua këtë më qartë, e keni parë ndonjë reagim të këtyre dy subjekteve opozitare për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina?! Njëra ka dal hapur kundër saj, domethënë i është bashkua shteteve që e kundërshtojnë fuqishëm taksën prej 100% e cila mbron shtetin dhe sovranitetin e shtetit, ndërsa tjetra gjen kohë të flas për demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa një fjalë të vetme nuk e thotë për taksën. Pra, kjo është politika e Hashim Thaçit që arrin me sukses të plotë ta realizoj përmes dy subjekteve politike.

Sidoqoftë, duhet përshëndetur gatishmërinë e Partisë Socialdemokrate (PSD), për të qenë pjesë e përgjegjësisë shtetërore për dialogun me Serbinë. Unë nuk njoh detyrë tjetër për të një grup parlamentar, përveç asaj që të jetë zëri i qytetarëve në institucione, pavarësisht nëse je në pozitë ose opozitë.

PSD po dëshmon se është koha për të bashkëvepruar dhe për tu koordinuar me të gjitha forcat politike në mënyrë që vendi ynë ta ketë të qartë rrugën e tij, dhe të kristalizohen gjërat për dialogun ndërmjet dy shteteve.

Puna më e lehtë është me kritikua tjetrin, ndërsa suksesi nuk arrihet duke pengua në procese dhe duke menduar çdo ditë se si ta rrëzojmë qeverinë në mënyrë që kjo e fundit mos të vazhdoj të marrë vendime të rëndësishme sepse kësisoj mund të krijohet një bindje e mirë tek qytetarët për kryeministrin.

Me ta prishë disponimin puna e mirë për vendin tënd, vetëm pse tjetri e ka bërë, kjo ndodh veç te ne!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE