Bashkimi Evropian konfirmon edhe zyrtarisht qëllimin për themelimin e një gjykate të veçantë, e cila do të merrej me dyshimet për krime lufte në Kosovë.
Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, Zyra e BE-së sqaron se Bashkimi Evropian nuk është duke propozuar themelimin e një tribunali, por të një gjykate të veçantë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
Kjo Gjykatë do ta kishte bazën në Kosovë, por sesionet e ndjeshme, duke përfshirë dëgjimin e dëshmitarëve, do të zhvilloheshin jashtë vendit duke marrë parasysh natyrën e dyshimeve.
Së dyti, kjo gjykatë nuk është për Kosovën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës apo natyrën e luftës, por ka të bëjë me hetimin e dyshimeve për akte të rënda kriminale të individëve.
Gjykata do të formohet pas këmbimit të letrave për Task Forcën Speciale të Hetimeve dhe mandatit të EULEX-it ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe miratimit të tyre nga ana e Kuvendit.