Në aksionin e marrë sot me rënien e muzgut në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanoci, janë konfiskuar mbi një mijë kilogramë duhan.
Inspektorë në shoqëri të Policisë Serbe, në aksionin e ndërmarrë në Tërnoc i kanë konfiskuar duhanin e papërpunuar familjeve shqiptare.
Një bastisje të Policisë e ka përjetuar edhe familja Jusufi në lagjen Gash. Familjarët të shqetësuar i kanë thënë portalit informativ Titulli.com se nuk kishte asnjë arsye që duhani që e kanë punuar tërë verën t’i konfiskohet pa asnjë arsye.
Kryefamiljari Mesud Jusufi, i shqetësuar nga ajo që i ndodhi tha se kjo është edhe një dëshmi e diskriminimit që i bëhet shqiptarëve, “Nuk të lojn as me punu”, theksoi ai.
Vetëm kësaj familje i janë konfiskuar 521 kilogramë duhan, i cili ishte i vendosur në tavanin e shtëpisë për tharje.
Gjatë bastisjes duhani ishte bartë nga tavani e deri në mjetin për konfiskim të policisë.
Ndërsa, anëtarët tjerë duke folur me anonimitet, thanë se për të kultivuar këtë bimë industriale është dashtë me muaj të zgjohen me terr, e gjatë kohës që kanë qenë agjërueshëm.
Me të marrë alarmin për bastisjet e policisë, në vendin e ngjarjes doli edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit, Agim Haliti, i cili qëndroi për një kohë në mbështetje të familjeve, duke kërkuar nga policia që të mos i merret duhani bashkëqytetarëve të tij.
Vlen theksuar se Policia Serbe ditëve të fundit ka bërë konfiskim të duhanit të grirë, sidomos gjatë transportimit të tij që vlerëson si jolegale, por jo edhe të duhanit të papërpunuar, siç ishte rasti i sotëm.
http://www.titulli.com/index.php?m=post&s=5489