Bashkimi i shqiptarëve, i pashmangshëm
Analisti i çështjeve të sigurisë nga Shqipëria, Ilir Kulla, ka deklaruar së është i pashmangshëm bashkimi i shqiptarëve. Në një intervistë për “Epokën e re”, Kulla e ka vlerësuar realiste deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili nga Kalaja e Ulqinit ka deklaruar se një ditë shqiptarët do të jenë bashkë, me ose pa Evropën.
“Mendoj se deklarata e kryeministrit Rama në kontekstin që është bërë ka qenë realiste. Ai nuk ka folur për sot. Ka folur për të ardhmen dhe në të ardhmen është e pashmangshme që shqiptarët të bashkohen, në një formë ose një tjetër”, ka deklaruar Kulla, duke shtuar se brenda 20 vjetëve mund të ndodhë bashkimi i shqiptarëve.
Kulla ka theksuar se deklarata e Edi Ramës nuk rrezikon raportet në mes të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Në këtë kontekst, Kulla ka deklaruar se aspiratat kombëtare të shqiptarëve nuk kërcojnë as shtetet fqinje e as BE-në.
“Qartësisht aspiratat kombëtare të shqiptarëve nuk kërcënojnë Bashkimin Evropian. Por, njëkohësisht, shqiptarët duhet të rendin me shpejtësi për ta rritur ekonominë e tyre, standardet e jetesës, shtetin ligjor etj, në Kosovë dhe Shqipëri etj.”, është shprehur Kulla.
Ai e ka porositur Qeverinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të angazhohen maksimalisht për prosperitet ekonomik, edukim dhe demokraci.
“Epoka e re”: Z. Kulla, deklarata e kryeministrit Rama, se një ditë Kosova dhe Shqipëria do të jenë bashkë me ose pa Evropën, ka bërë bujë në qarqet diplomatike, sidomos tek ato evropiane dhe serbe. Nga këndvështrimi juaj, si e shihni këtë deklaratë të kryeministrit shqiptar?
Kulla: Mendoj se deklarata e kryeministrit Rama ka qenë realiste. Ai nuk ka folur për sot. Ka folur për të ardhmen, dhe në të ardhmen është e pashmangshme që shqiptarët të bashkohen, në një formë ose një tjetër. Edi Rama kur deklaroi se një ditë Kosova dhe Shqipëria do të jenë bashkë me ose pa Evropën, ka thënë një realitet politik. Por, jo vetëm kaq. Nëse çdo ambasador i huaj, po ta lexojë Kushtetutën tonë, do ta gjejë të shkruar aty, në preambulën e saj, se shqiptarët do ta realizojnë aspiratën e tyre kombëtare. Natyrisht është e qartë se edhe po të duan shqiptarët nuk e realizojnë dot këtë aspiratë pa ndërkombëtarët, të cilët trembën qoftë edhe vetëm nga ideja që dikush e thotë më zë të lartë, qoftë ky edhe kryeministër.
