Në kuadër të fushatës ‘16 Ditë të Aktivizmit Kundër Dhunës në Bazë Gjinore’, Bashkësia Islame mblodhi Institucione të ndryshme për të diskutuar kundër dhunës ndaj gruas.
Departamenti i Gruas pranë Bashkësisë Islame në Kamenicë organizoi një tryezë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi parandalimin e dhunës dhe promovimin e të drejtave të grave. Aktiviteti, i mbajtur në objektin e Bashkësisë Islame, mblodhi panelistë nga fusha të ndryshme si: Dr. Florentina Termkolli-Teologe, Gyltene Dërguti – Psikologe Klinike, Valbonë Dërmaku – Zyrtare për të Drejtat e Njeriut pranë OSBE-së, Nazmije Demolli Kastrati – Koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut Kamenicë.
Panelistet znj. Termkolli dhe znj. Dërguti trajtuan aspektin fetar, duke theksuar se dhuna është e dënueshme në çdo formë dhe nuk pranohet as nga Zoti, sipas mësimeve të Kuranit.
Ndërsa znj. Valbonë Dërmaku theksoi se dhuna është e patolerueshme dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut.
Kurse Znj. Demolli-Kastrati theksoi angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve komunale për parandalimin e dhunës.
“Ne përkushtohemi që gjatë të gjithë vitit të organizojmë aktivitete ndërgjegjësuese dhe parandaluese, për të krijuar një shoqëri të sigurt dhe të drejtë”, theksoi ajo.
Në këtë tryezë u tha se ky aktivitet thekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare, komunale dhe organizatave ndërkombëtare për trajtimin e dhunës me bazë gjinore. Parandalimi dhe ndërgjegjësimi u cilësuan si hapa thelbësorë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të sigurt. Ndër të tjera me një tryezë të tillë Kamenica dërgon një mesazh të fortë kundër dhunës përmes këtyre aktiviteteve, duke krijuar një platformë për dialog dhe veprim të përbashkët. Ky model frymëzon nisma të ngjashme në mbarë vendin, duke treguar përkushtimin për të luftuar këtë dukuri gjatë gjithë vitit. /2LONLINE/