/Me rastin e 14 vjetorit të rënies heroike të Shaban e Sami Ukshinit/
Sabit Rrustemi
/2L ONLINE/ – Sot mbushen 14 vite nga rënia heroike e Shaban Ukshinit – Komandant Terri dhe e Sami Ukshinit – Komandant Kingji. Këta dy dëshmorë lirie, në altarin e lirisë ranë trimërisht bashkë dhe me Komandant Deltën e Kastriot Arifin, si pjestarë të brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”, ku Shabani madje ish komandant i bataljonit të dytë, me seli në Bukoc dhe, me 12 maj udhëhoqi betejën për Rahovicën, që ishte dhe beteja e tij e fundit , në përpjekjet e tyre atdhedashse për çlirimin e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës nga pushtuesi serb, i cili, njejtë si edhe Kosovën, këto pjesë të trojeve etnike i kishte pushtuar dhe shkëputur nga trungu amë para 100 e sa vitesh, duke i mbajtur edhe mëtutje me mjete të dhunshme nën regjimin e Beogradit.
Pas përfundimit të Luftës në Kosovë, një pjesë e luftëtarëve, duke konsideruar se nuk janë përmbushur të gjitha objektivat në çlirimin e trojeve etnike, nuk i hoqën armët prej duarsh, as u kthyen në shtëpi. Por, vazhduan misionin, një mision thuaja të pamundur për ta shpënë tutje amanetin e të rënëve: çlirimin e trojeve stërgjyshore dhe bashkimin e tyrë në një shtet të vetëm.
Rezultat i këtij synimi, pavarësisht sfidave që i kishin përpara, u themelua ajo që tashmë njihet botërisht: Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, përkundër mungesës së një koncenzusi të plotë politik apo dhe ushtarak, qoftë Brenda territorit të asaj që njihet Kosovë Lindore që gabimisht po quhet Lugina e Preshevës, apo dhe jashtë saj. Kam parasysh Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.
Për gati dy vite, duke operuar brenda zonës pesëkilometërshe tw sigurisw Kosovë – Serbi, ky formacion i armatosur, pjesë e të cilit, Shabani ishte prej fillimit e Samiu iu bashkangjit në ndërkohë duke ardhur prej Zvicrës, u angazhua me ngulm duke iu kundërvu forcave serbe me qëllimin e vetëm, për ta çliruar këtë pjesë të etnisë shqiptare.
Mirëpo , në kohën kur Bashkësia ndërkombëtare në krye me NATO-n sapo kishte përmbyllur një luftë dhe, nuk ishte e gatshme për të mbështetur luftëra tjera në këtë pjesë të Ballkanit, po edhe kur Kosova sapo kish zënë të rimerrte veten dhe e kish të pamundur t’i mbështesë si e sa duhet, njejtë si edhe Shqipëria, gatishmëria dhe dhe sakrificat atdhedashëse të këtyre trimave nuk do rezultojnë më atë që synuan edhe gjyhsërit e tyre gjatë luftës së dytë botërore, pavarësisht heroizmave të manifestuara në terren po, edhe flijimeve, rënieve heroike të një pjese të tyre nëpër vijat e frontit, atë kohë dhe tash së voni, në vitet 2000 e 2001.
Kjo u pa veçmas me një Marrëveshje të imponuar, e njohur si Marrëveshja e Konçulit, të cilën Zona Opertive e Preshevës, ku bënin pjesë edhe Shabani e Samiu, nuk e pranoi dhe, e kontestoi edhe me veprime luftarake siç ishte kalimi i pesëkilometërshit dhe mësymja drejt Preshevës.
Përballja e pabarabartë si në numër ashtu edhe në mekanizëm ushtarak, e bëri të veten.
Data 14 maj 2001, më rënien e këtyre 4 luftëtarëve, tash dëshmor lirie, shënoi edhe fundin e kësaj përpjekje për çlirim në fillim të këtij shekulli.
Bijtë tanë, do flijohen në fushën e nderit duke gjakuar, njejtë si paraardhësit e tyre, bashkimin e trojeve në një shtet të vetëm.
Nuk ishte se ju dhimbsej jeta atyre, në fakt ata me vetëdije sakrifikuan gjithçka që mundën e patën, pa kursyer asgjë, as dhe veten, apo dhe familjarëve të tyre që mbetën sot e asaj dite pa më të dashurit por, nuk u përmbushën synimet.
Përkundrazi, shkelja e të drejtave dhe lirive të kësaj pjese shqiptare, si në Kosovën Lindore ashtu dhe në Republikën e Maqedonisë, ku më pas poashtu eskaloi me luftë dhe, një Marrëveshje e arritur në Ohër, la gjithashtu shumëçka për t’u dëshiruar.
Shembulli më i keq ë këtyre shtypjeve që s’ po reshtin ndaj gjakut tonë atje, është dhe rasti i fundit i Kumanovës ku egërsia sllavo-maqedone u shfry edhe njëherë mbi popullatën e pambrojtur shqiptare dhe pasuritë e tyre po, edhe mbi frymën liridashëse.
Tash, pas 14 vitesh nga rënie e Shaban e Sami Ukshinit, Deltës e Kastriot Arifit dhe shumë të tjerëve në këto përpjekje të parreshtura nëpër periudha kohore, do duhej ta nxjerrim një mësim të madh: qëllimeve tona madhore, që janë thjeshtë dhe synime nacionale, përfundimisht do duhej t’ ju prijë shteti. Në këtë rast, Kosova dhe Shqipëria, të njohura tash si dy shtete shqiptare në Ballkan. Ndërsa gatishmëria jonë individuale apo dhe grupore duhet të koordinohet me strukturat përkatëse të institucioneve tona dhe, përmes rrugëve aspak të lehta, atyre politike, të insistohet përmbushja e krejt asaj që ishte synim i shumë brezave: Një shtet i përbashkët për krejt shqiptarët e Ballkanit.
Nëse kjo është e pamundur me mënyra tjera, atëherë të arrihet koncensusi i plotë përmes rrugës së integrimeve ku gjeografia është në anën tonë dhe aleati më i fyqishëm i kësaj të drejte e, jo më, jo më të bëhemi mish për top i interesave sllave, ku sa herë Serbisë apo Maqedonisë i mungon qëndrueshmëria politike, kjo të provohet dhe të arrihet përmes kurrizit të shqiptarëve.
Këtë që po e them,në një mënyrë po e marr si thirrje, si porosi edhe nga gjaku i derdhur i Shabanit dhe Samiut që po nderojmë jo vetëm sot, po dhe nga gjithë ato përpjekje për liri e bashkim kombëtar që u manifestuam parreshtur nëpër periudha kohore, deri në ditët e sotshme, në mënyrë që mos të na përsëriten Rahovicat e Kumanovat. Por, të arrijmë atje për ku jemi nisur.
Sepse, fundja,këtë synim e kishte dhe kreshniku i maleve, Idriz Seferi, dhe shkulësi I gurëvw e kufijve që na ndanin, Agim Ramadani, e, edhe Shabani e Samiu me luftën e tyre për lirinë e Kosovës Lindore.
Prandaj, nderimi ynë më i mirë për gjithë herojtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë është puna, angazhimi dhe pajtimi nacional për një udhë të vetme, përmes të cilës do ecim bashkërisht në realizimin e këtij synimi.
Zhegër, 14 Maj 2015