Bashkërendojnë përgatitjet organizative të edicionit të ri të Olimpiadës Matematike të Gjilanit
Sot, përfaqësuesit e ekipit organizativ të Olimpiadës Matematike të Gjilanit, Elda Sahiti, Sami Shurdhani dhe Florent Jerliu, u takuan me drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Jeton Rexhepi, për të bashkërenduar përgatitjet organizative të këtij edicioni.
Drejtues të Shoqatës e matematikanëve të Gjilanit bëjnë me dije se takimi ishte i frytshëm dhe u zhvillua në një frymë pozitive bashkëpunimi, me synimin e përbashkët për të realizuar një tjetër edicion të suksesshëm, që nxit pasionin për matematikën dhe u jep nxënësve mundësinë të shpalosin talentin e tyre.
“Falënderojmë përzemërsisht drejtorin, z. Jeton Rexhepi, për pritjen e ngrohtë, gatishmërinë për bashkëpunim dhe përkushtimin ndaj nismave që mbështesin dijen dhe talentet e reja. Bashkëpunimi me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan është një mbështetje e çmuar për mbarëvajtjen e Olimpiadës”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.
Olimpiada Matematike e Gjilanit do të mbahet më 5 dhjetor 2026. /2LONLINE/
