Bashkëpunimi mes akterëve relevantë, me interes për siguri më të mirë në shkolla
(2L ONLINE) – Në kuadër të aktiviteteve të ndryshme të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Gjilan, të mërkurën është mbajtur edhe Konferenca që për temë kishte “Siguria në shkollat e komunës së Gjilanit”. U vlerësua se bashkëpunimi mes akterëve relevantë, sidomos në relacioni, shkollë, nxënës, prindër, polici, por edhe institucione tjera relevante, është me interes jashtëzakonisht të madh për të pas siguri sa më të mirë në shkolla.
Ndonëse u fol për të rinjtë dhe për sigurinë në shkolla, mungesa e zyrtarëve komunal, të atyre nga sektori i të rinjve dhe nga sektori i arsimit, ka qenë zhgënjyes për nikoqirin me këtë rast kreu i KVRL-së Valdrin Halimi tha se e vlerëson të pakuptimtë mospjesëmarrjen e tyre në këtë konferencë, përkundër që ishin të ftuar dhe se kjo është tregues se sa ata interesohen për të rinjtë dhe për sigurinë e nxënësve si dhe nivelin e sigurisë nëpër shkolla, përkundër që është përgjejgësi e tyre edhe kjo çështje.
E, ata që ja shpëtuan “fytyrën” komunës, me prezencën e tyre, ishin tre drejtorët e tri shkollave të Gjilanit, Sami Hoxha nga Gjimani “Zenel Hajdini”, Rashit Sahiti” nga shkolla teknike “Mehmet Isai” si dhe Shaban Tërstena nga shkolla e mesme e mjekësisë “Asllan Elezi”. Ata vlerësuan këtë vit si të mirë kur është në pyetje siguria në shkolla duke thënë se ka pas pak incidente por edhe ato kanë qenë incidente të vogla që janë tejkaluar. Megjithatë ata thanë se ka nevojë për veprime të ndryshme me qëllim që të kemi ngritje të nivelit të sigurisë.
Përndryshe fillimisht zëdhënësja e KVRL-së Arlinda Abdullahu tha se rinia është e ardhmja e këtij qyteti, andaj edhe kanë konsideruar se sa është rëndësia e madhe të jesh i sigurt në mjedisin ku jeton e vepron, prandaj Këshilli i Veprimit Rinor Lokal ka vlerësuar që në përmbylljen e këtij viti ta bëjë këtë konferencë në Gjilan me temën “Siguria në shkollat e komunës së Gjilanit”.
Remzi Azemi, komandant i Stacionit Policor në Gjilan ka vlerësuar se përgjatë këtij viti ka pas disa incidente nëpër shkollat e Gjilanit, por fatmirësisht nuk kanë qenë incidente të natyrë së rëndë. Azemi tha se përgjatë këtij viti kanë realizuar planin operativ në pesë faza që ka dhënë një rezultat pozitiv dhe edhe ato diku 10 incidente kanë qenë të natyrave të lehta, që janë tejkaluar. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin e mirë me Drejtorinë Komunale të Arsimit, ndërsa ka përmendur edhe aktivitete të shumta , si ligjërata nëpër shkolle pjesëmarrje në tryeza të ndryshme ku për temë ishte siguria në shkolla e aktivitete të ngjashme. Komandanti i Stacionit Policor tha se janë të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë aktorët që të kemi siguri në shkolla dhe edhe në vitin 2015 ata thanë se do t’i kryejnë detyrat e tyre për të ofruar, ndër tjerash, edhe një ambient të sigurt në shkollat.
Ndërsa, drejtori i Gjimnazit, Sami Hoxha tha se përgjatë këtij viti siguria në këtë shkollë ka qenë e mirë, pak incidente që kanë ndodhur mes nxënësve janë zgjidhur mbarë. Ai ka vlerësua shumë praninë e të rinjve në këtë konferencë pasi ka thënë se interesimi i vet të rinjve për sigurinë e tyre është domethënës.
Rashit Sahiti, drejtor i shkollës teknike tha se shkolla që drejton është shkollë profesionale, që fatkeqësisht ende nuk po e tërheqin vëmendjen sikurse shkollat tjera, andaj p ndodh që aty të regjistrohen edhe nxënës më të dobët. Megjithatë edhe ai tha se fal angazhimit të drejtuesve të shkollës, mësimdhënësve dhe raportit të mirë edhe të trekëndëshit, prindër nxënës shkollë, siguria ka qenë e mirë, incidentet përjashtuese nuk kanë qenë të asaj natyre për të qenë shqetësuese. Sahiti tha se ligjëratat e ndryshme mbi këtë fushë por edhe prania e psikologut në shkolla janë domosdoshmëri.
Shaban Tërstena, drejtor i Shkollës së Mjekësisë tha se dallojnë prej shkollave tjera pasi nuk kanë objekt dhe mësojnë në shkollën e Gjimnazit por edhe të Ekonomikut. Megjithatë ai tha se gëzon fakti se nuk ka të shënuar incidente përgjatë këtij viti. Ai tha se kanë ndërmarrë masa të ndryshme për ta arrit këtë siguri, por tha se ka megjithatë nevojë për të avancuar sigurinë sepse ka pas raste të përdorimit të fishekzjarrëve në hapësirat brenda duke u rrezikuar nxënësit, por edhe dëmtim të pronës, sidomos me ndërprerës të rrymës, apo shkatërrime tjera dhe në këtë drejtim ka kërkuar edhe bashkëpunimin e nxënësve tjerë që të parandalohen problemet eventuale.
Kontribut në këtë konferencë dhanë edhe Mejdi Sadiku, Bonita Salihu, Nexhat Ismajli Mentor Dërvodelli, Mehmet Zylfiu, Artan haziri, Leotrim Smirqaku e të tjerë, sipas të cilëve duhet të ketë një bashkëpunim më të madh, në mes prindërve, nxënësve dhe punëtorëve arsimor si dhe me policinë, pastaj të bëhet ndriçimi rreth shkollave ku mungon ai, nevoja që shkollat të kenë psikologë, që të ketë ligjërata sa m shumë për çështje të sigurisë, aktivitete të ndryshme që kontribuojnë në këtë fushë, nevoja për të organizuar sa më mirë ekskursionet dhe çështje të tjera.
Përndryshe, në fund të kësaj konference në emër të organizatorit, Valdrin Halimi kreu i KVRL-së ka thënë se rekomandimet e pjesëmarrësve do t’i adresojnë në organet përkatëse dhe do të mundohen me fushata vetëdijësuese të tregojnë rolin e nxënësit dhe se sa është e madhe rëndësia e tyre për mjedise të sigurta, aktivitete të cilat do të bëhen në vazhdim nga KVRL. /2L ONLINE/
