Bashkëpunimi me Odën Ekonomike i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit në Gjilan
Drejtori i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Haki Huruglica, ka zhvilluar një takim me drejtues të Odës Ekonomike – Njësia Rajonale në Gjilan, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat.
Gjatë vizitës, ai u prit nga drejtoresha e njësisë rajonale, Erleta Halimi, me të cilën u diskutua mbi çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes, transmeton 2LONLINE.com.
Sipas Huruglicës, bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Odës Ekonomike mbetet thelbësor për adresimin e sfidave me të cilat përballen sipërmarrësit, si dhe për identifikimin e mundësive të reja për investime në rajonin e Anamoravës.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe nevoja për koordinim më të ngushtë ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, përmes organizimit të trajnimeve, ofrimit të këshillimeve profesionale dhe mbajtjes së forumeve ekonomike, transmeton 2LONLINE.com.
“Ky bashkëpunim ka për qëllim krijimin e një ambienti ekonomik të qëndrueshëm, forcimin e ndërmarrësve lokalë dhe promovimin e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet akterëve ekonomikë dhe institucioneve komunale.”, thotë drejtorit Huruglica.
Ky takim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së bashkëpunimit institucional dhe përkrahjes së zhvillimit ekonomik në Gjilan dhe më gjerë. /2LONLINE/
