Bashkëbisedimi lirik me kohëtPrend BUZHALA

Bashkëbisedimi lirik me kohët

Prend BUZHALA

BASHKËBISEDIMI LIRIK ME KOHËT

(Sinan Sadiku: “Poezi”, klubi letrar “Nositi”, Dardanë 2021)

Te tre librat poetikë të Sinan Sadikut: “Rrobat e Engjëllit” (2000), “Shigjetat e Lakmisë” (2009) dhe “Nata rri zgjuar” (2019), të përfshirë në botimin më të ri me titullin “Poezi”, vijnë në 60-vjetorin e lindjes së poetit, si kurorë e shumëfishtë. Të botuar gjatë dy dekadave të fundit, në Kosovën e lirë, në një kohë vlimesh letrare me rryma e zhvillime paradoksale, shpesh kontradiktore, në një kohë që solli edhe anarki vlerash; këto vëllime dëshmojnë edhe për një qëndrim të rreptë të autorit: që të publikojë sa më rrallë libra letrarë, së paku një libër në një dekadë, kundruall vërshimit të botimeve të panumërta letrare.

1. Libri i parë:

ose lirika e ikjes si shpëtim deri te kthimi brenda vetes

Poeti bisedon me kohët, me jetën, me vetveten e me protagonistët e tij lirikë. Te libri i parë kjo kohë na shfaqet me hijen e saj të rëndë, të lodhur me peshën e ekzistencës së vështirë, gjithë plagë. Folësi lirik merr rolin e poetit: është ai çasti kur ai nuk dëshiron të flasë për kohën e tij. Simetria kontrastive e thënies është gjetur me mendjemprehtësi krijuese: është ai çasti dramatik i një situate kur ai shkruan plagosshëm, i lënduar.

Koha ime

të lutem

shumë të lutem

mos m’i prek plagët

e mbuluara me hi

se edhe gurët

do të pikojnë gjak

e gjëma e tyre

do t’i pikëllojë yjet

e do t’i shterë lumenjtë

o koha ime

(Poezia “KOHA IME”)

E, si t’i iket kësaj gjendjeje? Kësisoj, edhe ciklet e vëllimit të parë(Le të vijë pranvera, Ku e harruam urtinë dhe Lulejetës), duan ta theksojnë këtë ikje nga situata e tillë: ato shënjojnë kthimin kah ripërtëritja e jetës, cikli i parë; kultin e urtisë te cikli i dytë dhe kah vizionet e çiltra e të kthjellëta të jetës dhe realitetit, cikli i tretë.

Kjo ikje, e thurur nga inspirimet e ngazëllyera të jetës dhe pamjeve të saj, gjithsesi që është një mënyrë për ta kuptuar atë më mirë, nën cipën e të cilës gëlojnë plagët. A e bën këtë ikje për t’iu shpëtuar plagëve, sëmbimeve e therjeve të tyre, apo për të krijuar një situatë të re qëndrese ndaj vuajtjeve shpirtërore që ende lëndojnë aq shumë nga kjo e kaluar? Edhe nëse ka një konceptim të tillë ku lexojmë këngë butësie, ai i trajton edhe fjalët e tij të zgjedhura poetike me butësi. Në këtë mënyrë, mbulohet një gamë me shtrirje bukur të gjerë tematike, ideore e motivore, me ndjeshmëri elegjiake, baladash të jetës, ndjenjë melankolie e përjetime peizazhore të gjetura; ai nuk e harron edhe Lutjen e tij engjëllore kundruall këtij realiteti të vrazhdë, shteg shpëtimi dhe si grishje ndërgjegjësimi:

Vite të tëra kotem

u besoj ëndrrave të mira

e plagët më rrjedhin gjak

Tanimë nuk mund ta gjejë

as vetveten

kam harruar të flas

Nuk e di ku më qet kjo rrugë

as të eci as të rri

nëse heshti bëj mëkat

nëse flas nuk e di

Më ruaj nga vetvetja o Zot

sot në mot përmot

(poezia LUTJE)

Nëse ka ikje të tilla poetike, çfarë na sugjerojnë vargjet e punktet tematike të lartësuara, atëherë jo vetëm lutja, po edhe disa poezi tjera na e sugjerojnë, pra, edhe rrugën e kthimit brenda vetvetes, në gjirin e realitetit. Ai nuk e humb këtë rrugë kthimi, sepse ai kërkon yllin e tij:

Nuk di ku më qet kjo rrugë

as të eci as të rri

nëse flas një mëkat

nëse heshti dy a tri

Sa e errët është kjo natë

edhe yjet i ka fshehë

kërkoj yllin e mëngjesit

në këtë natë natë të zezë

Kjo do të thotë që arti poetik e heton se realiteti është aq i pasur, ashtu sikundër është e larmishme jeta vetë.

2. Libri i dytë:

ose kërkimi i lirimit nga iluzionet

Kurse poezia vjen si ditar shpëtimi dhe urtie. Është ai ditar, kur njeriu është peng i shumë vendimeve në jetë, i prangosur nga shumëçka, por ai ëndërron të fluturojë, qoftë edhe imagjinativisht deri te yjet. Kësisoj, dorëshkrimi poetik merr formë, na ligjëron nëpërmes metaforës dhe figurës letrare, me urtësinë e fjalës na sugjeron se ku e kah duhet ta dërgojmë atë trastën e iluzioneve tona, pasi ajo është stër-rënduar aq shumë nga faktet e rënda të së përditshmes, nga zhurmat apo nga kronikat e zeza(Na mbyti heshtja/ zhurma na i prishi veshët/e fjalët lëshojnë mjegull). Mund të jetë edhe mot me erë e furtunë, një kohë përsëri e rënduar, pasi as vargjet nuk zgjidhkan asgjë! Madje, poeti dëshiron të çlirohet edhe nga ky iluzion. Kështu, te libri i dytë, përpos urtisë, na rivjen sërishmipërsiatja për kohën, tashmë me thënie më të begatshme lirike:

Poeti im i dashur

koha jote dhe koha ime një

janë ndërruar

vetëm numrat në kalendar

Asgjë nuk ndryshuan vargjet

(poezia ME MIGJENIN)

Edhe te libri i dytë vjen ajo përplasja dramatike e poetit midis realitetit dhe imagjinatës, midis jetës dhe frymëzimit.

Më janë thyer

krahët e imagjinatës

kroi i frymëzimit

ka shterur

e muzat

më kanë braktisur

Poezinë ai nuk e dëshiron vetëm si strehë të tij lirike. Ajo është venstrehim ku e shpall solidarësinë me dhimbjen, vuajtjen, kryengritjen kundër së ligës.

Çka t`i bëj

dhimbjes

çka t`i bëj

vetmisë e zhgënjimit

dashurisë e shpresës

kur të çohen në kryengritje

dhe të kërkojnë

strehim në vargje

Tashmë ai e shqipton të vërtetën e jetës dhe poezia bëhet dëshmia më autentike e gjallimit vetjak. Poeti tashmë e ka krijuar prizmin e fjalës së tij. Folësi lirik është feniks i krijimit vetjak poetik, pasi flaka e jetës ka marrë hove të reja, dhe dëshminë e kësaj flakë, poezinë, e ka shndërruar në hirin e vetvetes.

Kur reshjet

ta ndryshuan ngjyrën e flokëve

të vetmin mik pate mjerimin

U dogje nga vetmia

asnjë stinë nuk të përkëdheli

Hiri është dëshmi se aty ka pasur zjarr, ka pasur ngjarje e përjetime dramatike. Ti duhet të rilindësh nga ai hi, nga ajo dëshmi, si feniksi krijues.

t’i rizgjoj kujtimet e fjetura

të fëmijërisë

e të rilindem

këndon te libri i parë.

Apo:

Këndoje këngën e ecjes me bujë

këndoje atë këngë me lëvizje e besë

me zërin e zemrës këndoje he burrë

këndoje të tillë që ngjallë lind shpresë

te libri i dytë. Apo:

I doje ngjyrat

luaje kënaqeshe me to

Me të kuqen

atdheun rilinde

3. Libri i tretë:

nga qëndrimi dyshues deri te pasioni për jetën

Mirëpo, te libri i tretë, që në titull poeti e shfaq skepticizmin e tij, mosbesimin dhe qëndrimin e tij dyshues:

Në këtë natë këtë mesnatë kaq të gjatë

asgjë s’ka ndryshuar në rendin e yjeve

në etjet tregimet as mençurinë e pyjeve

mbetur si klithmë si mallkim si lëngatë

Nga ana tjetër, ekziston, pra, e vërteta e dinjitetshme, çfarë është vetë e bukura në jetë apo në art, me mbresa të pashlyeshme, aty ku folësi lirik e vë jetën e tij nëpër vargje. Folësi lirik vetëm mund t`idrejtohet Tjetrit: mbahu, miku im! Gjërat më me vlerë qenkan miqtë, ëndrrat dhe kujtimet. Janë vargje të jetës, sepse ky folës lirik e ka gjetur harmoninë e tij, jeton në lidhje të natyrshme e në pajtim me universalen. Qëndron më afër burimit të jetës. Edhe tani, te libri i tretë poetik, nuk është e habitshme përse poeti e përsos prirjen e tij për paralajmërime, qortime apo për profetizomë lirike, sepse vetë krijimi poetik i paraprin jetës.

Edhe këngën edhe këngën

desha ta fus në vargje

për t’i shëruar veshët

nga zhurmat e turmat

Desha të bëj vargje

me diellin e vendlindjes

me fjalët e nënës

me buzëqeshjen e vashave

… dhe këngën

Përpos të bukurës, poeti aspiron edhe të mirën në jetë, ndryshe, ekzistenca jonë nuk do të kishte kuptim.

Dita më e bardhë

në portën time

aromë pranvere

Ta përqafosh jetën, të bukurën, dhe ta jetosh me pasion atë, duke humbur e duke fituar në këtë lojë, siç thotë nganjëherë folësi lirik i kësaj poezie; kjo do të thotë se ajo iu takon atyre që dinë të shkojnë pas asaj që e duan.

Tone elegjiake e një tis prej baladash jehojnë gjithandej nëpër vargje. Humbjet e jetës kanë qenë të mëdha, rrënimet e vlerave po ashtu.

Tashmë në gjirin e realitetit të tillë, kaq pikëllues, përsëri kërkon rrugëdaljet, për ta gjetur arsyen për shpresë, për ta gjetur drejtpeshimin e vetvetes, kohës, për ta rigjetur forcën e tij. Ndryshe, një libri të mirë, po qe se i mungojnë mesazhet e tilla, atëherë te lexuesi lënë shijen e hidhur të dëshpërimit, të mbështjellë në lëkurën e trashë të mëkatit, siç shprehet me figurë poeti. Poetit i dhemb kur e shkuara largohet sa më shumë prej nesh me trashëgimitë e saj të vyera, dhe e ndien veten të lënduar, kur e ardhmja nuk premton diçka. Së këndejmi, përmes vlerave të realizuara artistike, poeti risjell gjithnjë ato lidhje të magjishme e të mrekullueshme me jetën, si duhet jetuar ajo, si i dhuron energji lexuesit. Ai bën art për njerëzit. Qoftë edhe me poetikën e kontestimit. Libri i tretë vjen si shumë e grumbullimit të përvojave krijuese dhe jetësore, si dhe i intensitetit e dendurisë së këtyre forcave dhe përvojave. Khalil Gibran do të shprehej: “E djeshmja nuk është veçse kujtimi i sotëm, dhe e nesërmja është ëndrra e së sotmes.”

Libri, në ciklin e fundit, ngërthen edhe lirika me përjetime të emocionit të bukur të dashurisë, si ndjesi e përjetshme e së bukurës, intimitetit, përkryerjes si kategori estetike:

Sa e sa herë të pata thënë

e përkryera është trillim i poetëve

po ti kurrë s’e kuptove

Ideali arketipor i poetëve për këtë ndjesi e për të bukurën, mbetet gjithnjë një realitet i ndërtuar artistik mbi modelin ideal të realitetit.

4. Në dalje

Lirika e Sinan Sadikut, e krijuar këtu, nëpër disa dekada e në këto hapësira, na dëshmon se këto kohë e hapësira janë tonat, me ne brenda nesh, jo thjesht si hartë gjeografike, por si entitet yni. Ato i kemi krijuar e mbrojtur me qenien tonë. Në to ecën e rrjedh koha jonë. Në të tre librat poeti përçon jo vetëm përvojën e tij të pikësynimeve dhe kundrimeve lirike mbi botën tonë dhe realitetin; por na e dhuron edhe sintezën e bukur artistike për to:

Është

edhe engjëll edhe djall

edhe parajsë edhe ferr

Letër e shkruar

që e lodron i hunit e i konopit

është libri

(Poezia “Libri)

Përtej semantemës libër, poeti personifikon kohët, aty ku folësi lirik është banor i përhershëm dje, sot e nesër, si qenie gjithëpërfshirëse e ekzistencës sonë. Le ta themi, pra, që të tre librat janë kika a maja të këtij subjekti lirik të kohëve, me shpresën e ardhjes së një tjetër qenieje jetëdhënëse, humane, shpirtbutësie e shpirt-etnie:

siç e thotë në vargjet e fundit të librit:

Do të vish një ditë

kur acari ngrinë

me zjarrin e zemrës

ta ngrohësh shtëpinë

Dhe ti vjen e shkon

pret s’pret flet

asgjë nuk harron

as valët në det

Pothuajse, në të tre librat, ky subjekt lirik personifikon njeriun tonë kundruall së keqes së pushtimit dje, dhe kundruall së keqes së lakmisë e mallkimeve tjera mbi ne, në të tashmen. Është ndërgjegjja e tij që ligjëron me dorën e shtrirë të humanizmit.

Poetët janë ëndërrimtarë të papërmirësueshëm, siç na e thonë poezitë “Ëndërr poetike” dhe cikli “Midis ëndrrave” te libri i parë; “Nisma” te libri i dytë”; apo “Liria”, “Ëndrrat”, “Një zog më buzëqeshi” etj. te libri i tretë.

Pa ëndrra, bota mbetet e shkretë.

Nëntor 2021

____________________

E lexuar në Manifestimin e përvitshëm, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 13 nëntor në Kamenicë, ku u vlerësua krijimtaria letrare e Sinan Sadikut, në 60 vjetorin e tij të lindjes.

KOMENTE