Bashkëbisedim me Alex Gu-në rreth arteve në Kinë
Me shkas vizitën time trijavore në Kinë (3)
Ishte vetëm njëzet e shtatë vjeçar, biznesmen i ri, bashkëpunues me disa tregtarë kosovarë. Gjatë takimeve të shpeshta me të, më rrëfente shumë histori sikur të ishte një ciceron dhe më tregonte mjaft detaje nga jeta kulturore kineze. Ai tashmë i takonte shtresës së të pasurve në Kinë, brezi i cili po rritej në tri dekadat e bumit ekonomik dhe interesohej vetëm të zgjerohet në tregti të jashtme ndërkombëtare, me plot ambicie dhe pasion për ngjitje në maje të hierarkisë së elitës së të pasurve kinezë, e duke mos i munguar njohja me shumë kultura e vende të tjera, sepse biznesi i tij ndërkombëtar e global, e kishte bërë udhëtar të shpeshtë, duke shëtitur sa në SHBA, sa në shtetet fqinje aziatike, sa në Evropë, e madje më tregonte edhe përshtypjet e tij pasi e kishte vizituar njëherë edhe Kosovën! Ai quhej me emrin e plot kinez Huafei Gu, por në kulturën kineze kishte depërtuar thellë një zakon: për perëndimorët apo për të huajt, e kishin një emër apo pseudonim tjetër, për shqiptim më të lehtë! Pra, për të huajt ishte Alex Gu, varianti perëndimor i emrit kinez! Kjo ishte më se e zakonshme sidomos te tregtarët e biznesmenët kinezë, por edhe në shumicën e të rinjve kinezë e kuptonit shumë vonë se emrat që ua kanë prezantuar, janë vetëm për të huajt, ndërsa emrat origjinalë i kanë krejt më ndryshe! E pyes Alex-in rreth kinemasë dhe teatrit në Kinë, se cilin institucion kulturor e duan më shumë kinezët:
“Për mua dhe për shumicën e kinezëve, besoj se është kinema. Edhe teatrin e pëlqejmë, por më rrallë dhe më pak njerëz e duan atë, krahasuar me kinemanë! E mbaj në mend kur shkoja në teatër, kur isha fëmijë, ndiqja me shumë kënaqësi shfaqjet në teatrin e hijeve të kukullave. I pëlqeja tejmase këto shfaqje që bëheshin atëbotë dhe diku ky lloj teatri mungon edhe në ditët e sotme” – përgjigjej Gu!
Teatri kinez ka histori dhe traditë të gjatë, por nuk ka arritur të njihet për shfaqjet e sotme bashkëkohore sikur mund të jetë për shembull, teatri në Londër, Paris, Nju Jork! Me gjithë zhvillimet e tij të hershme dhe investimet në aktrim teatror nga dinastitë e ndryshme kineze nëpër histori, Kina ka zhvilluar teatër tjetërqysh, por edhe prej këtij teatri që e përmendi Gu, janë ndikuar edhe teatrot evropiane. Ai kur e përmendi vizitën e tij në teatër kur ishte fëmijë, e kishte fjalë pikërisht për atë lloj teatri, që në anglishte njihet edhe si “Chinese shadow puppet” apo “Teatri i hijeve të figurave/kukullave”, i cili ishte shumë tërheqës për kinezët dhe fqinjët e saj si India, Indonezia, Malajzia, Kamboxhia, etj. për kohë të gjatë, por pak më i zbehur në ditët e sotme, sepse sikur e thoshte Gu, “të rinjët nuk e duan sot aq të vjetrën, sa e duan të rejën, bashkëkohoren”! Ky lloj teatri bëhet përmes lojës së aktorëve me duart e tyre, të cilëve u duken hijet e tyre mbrapa, përball një projektori/perderje/ekrani dritë-hije (këto ekranet para dy mijë viteve në Kinë, bëheshin përmes gjetheve të manave – sipas disa shënimeve) duke lëvizur ilustrimet/figurat e ndryshme (lloj animacionesh apo karikaturash!) përmes një shkopi të hollë që i ngjasojnë rrëmojësave por shumëherë më të gjata sesa ato, për të ndërtuar tregime dhe duke i bërë figurat me emocione dhe ndjenja të ndryshme, duke qarë e duke qeshur! Pekini, Shangai, Shenzheni, etj., mbeten qytete të njohura për teatër! Ky lloj teatri mund të thuhet edhe se është ‘puna manuale, puna me dorë e bërjes së animacionit’, apo ‘qeliza’ e filmit të animuar bashkëkohor!!! Teatri i akrobacioneve është teatër i ndjekur po ashtu nga publiku kinez dhe shpesh i transmetuar edhe në televizionet lokale e shtetërore kineze, sidomos në CCTV me aq shumë kanale sikur RTK1, RTK2, RTK 3…! Përndryshe, shumë të rinj kinezë që më ka rënë t’i takoja e të bisedoja me ta direkt, theksonin se nuk kishin ndonjë preferencë për të shkuar në teatër, ndërsa e pëlqenin më shumë kinemanë! Kinema kishte në qytete të vogla, e lëre më në qytetet e mëdha kineze!
KARAOKET
Gjëja specifike dhe e preferuar e kinezëve ishin bërë karaoket! Ishin bërë shumë të dashura në Kinë! Në shumë qytete shihja akronimin “KTV” dhe më ngjasonte me kanalin televiziv kosovar, prandaj syri i vizitorit pamjet e para që i sheh në një tokë të re dhe posa janë të ngjashme në shkronja, imazhe, simbole, etj., me ato të vendit të tij, i qeshet fytyra! E pyeta mikun Gu se po i shihja shpesh këto lokale të shënuara shkurt “KTV” dhe të më shpjegonte se çfarë ofronin. “Këto janë lokale karaokesh. Këtu janë shumë popullore karaoket! Zakonisht për ditëlindje të një shokut, familjarit, të njohurit, mblidhen së bashku dhe shkojnë në karaoke e këndojnë për të!” – më shpjegonte ai.
Në disa lokale që i vizituam nuk mund të hynte klienti nëse nuk këndonte karaoke dhe për këngën e tij po ashtu duhej të paguante. Ndoshta mund të paguanit dhe të mos këndonit, por kështu ishte rregulli! Gu më thoshte se klientët shkonin zakonisht në klube karaokesh në mënyrë shoqërore (studentët, nxënësit, miqtë, etj.) dhe të argëtoheshin duke kënduar këngë, sidomos për ndonjë gëzim familjar e miqësor, si ditëlindjet, suksesi në shkollë, universitet a biznes, etj!
OPERA DHE MUZIKA KLASIKE PËR MË TË MOSHUARIT
E pyesja Gu-në për lidhjen e kinezëve me operën dhe muzikën klasike. “Më të moshuarit, e duan më shumë muzikën klasike dhe operën. Në një formë a tjetër, të rinjët kur e shohin një të ri duke shkuar në operë apo duke e ndjekur muzikën klasike, bëjnë mahi duke thënë për të: “Truri i tij ka probleme, apo është thyer!” Shumica e të rinjve qeshin me të, me fjalë të këqija! Kanë mendim paragjykues se muzikën klasike dhe operën duhet ndjekur vetëm të moshuarit, por jo edhe të rinjët të cilët janë të lidhur më shumë me muzikën bashkëkohore!” – përgjigjej ai.
Dukej se ky perceptim mbetej i fortë edhe në shumë vende perëndimore dhe në vendin tonë rreth moshës kalendarike dhe muzikës klasike! Të rinjët i nënshtrohen dinamikave të tjera muzikore, pop-muzikës, rep dhe hip-hop muzikës, muzikës elektronike, etj.
“Në Kinë janë të famshme sidomos performancat publike në rrugë, të cilat tregojnë gjëra historike, por edhe ekspozitat e arteve vizuele i pëlqejnë, por më pak njerëz!” – shton Gu, kur e pyesja rreth preferencave të kinezëve mbi ekspozitat e arteve vizuele dhe përgjigja e tij ngulmonte rreth performancierëve në hapësirat publike, sesa në ekspozitat e mbyllura në galeri.
Hapësirat publike kineze ishin të mbushura edhe me vallëzime të përditshme të mëngjesit të hershëm apo gjatë mbrëmjeve, duke ushtruar dhe vallëzuar dhjetra e qindra njerëz, si pjesë e traditës së kultivuar sportive dhe kulturore, qoftë për shëndet, jetë të angazhuar aktive, shprehje integrimi social dhe solidaritet, etj. Artet marciale po ashtu shënojnë pikë të rëndësishme në jetën e kinezëve, madje janë bërë tërheqëse edhe për shumë perëndimorë, të cilët regjistroheshin në këto trajnime për Kung Fu apo Wushu, në tempuj të ndryshëm dhe shkuakan me oferta të ndryshme për të ndjekur leksionet mbi shaolinët, artet e tyre luftarake, etj. Çmimet e këtyre trajnimeve variojnë varësisht nga periudha kohore dhe kushtet e tjera!
TEMPUJT NË KINË
Është e zakonshme në Kinë që tempujt të jenë në maje të larta malesh, por pa përjashtuar edhe shumë prej tyre brenda qytetit a fshatit. I tillë në maje, mbetej tempulli budist pranë lumit Jangce, mbi 110 metra lartësi, i ndërtuar në atë që quhet më shpesh si “Kodra e Ujkut”. Ky tempull është ndër më të vizituarit e provincës Jiangsu. Është mjaft atraktiv për vizitorë lokalë e të huaj! Atje mund të ngjitesh edhe me teleferik, ose përmes shkallëve të ndërtuara prej betonit. Duhej të paguanit ekstra nëse e merrnit teleferikun, por në përgjithësi bileta nuk tejkalonte 30 yuan-in kinez, që i binte rreth 4 euro e pak centë. Në përgjithësi e kam vërejtur se shumica e popullsisë nuk i frekuentonin aq tempujt, dhe shumë prej atyre që i takova deklaroheshin edhe si ateistë (por akoma me disa ndikime të filozofive dhe feve tradicionale), ose edhe prej atyre që frekuentonin tempujt vetëm për ditë të caktuara të vitit apo festat e njohura kalendarike si viti i ri kinez, që këtë vit quhej vit i majmunit dhe ishte më 8 shkurt! Kishte tempuj budistë, taoistë, etj., por edhe edhe xhami e kisha të bukura, pasi që ka kinezë të shumtë myslimanë dhe po ashtu të krishterë, dhe pavarësisht ateizmit si doktrinë të Partisë komuniste, shteti kinez kishte pranuar zyrtarisht këto fe zyrtare! Ballafaqim jo i lehtë për një vizitor perëndimor mbetej në tempujt budistë në Kinë momenti kur hasnit svastikën brenda këtyre tempujve! Për budistët e hindusët, svastika simbolizon fatin e mirë, lumturinë, mirëqenien, pafundësinë, bollëkun, mirësinë, përsosshmërinë, përjetësinë, praninë e qindra të zgjuarve në gjoksin e ikonave të budës, ndërsa me ardhjen e nazistëve në pushtet, ky simbol u bë simbol i gjenocidit! Kur i shihnit besimtarët të përkuleshin para këtyre ikonave budiste a të Krishnës me simbolin e svastikës dhe ju ishit në dijeni për simbolikën e tmerrshme që zgjonte për shkak të sjelljeve çnjerëzore naziste, në fillim trazoheshit; por më pastaj, i riktheheshit mendjes duke thënë: ky simbol është mijëra vite i vjetër dhe janë nazistët që e kanë marrë prej budistëve, e jo budistët prej nazistëve! Sidoqoftë, tempujt fetarë e bëjnë gjithmonë madhështore Kinën dhe janë destinacioni më tërheqës për turistët!
MONUMENTET NË KINË
Prisja që kur të shkoja në Kinën autoritariste, do të kishim plot monumente të liderëve të kuq, udhëheqësve të Partisë Komuniste në Kinë, sikur në shumë vende të quajtura komuniste e totalitariste! Por në Kinë rrallë mund të shihnit monumente të tilla. Mund të gjenit në qendra a parqe shëtitoresh të qytetarëve, buste të figurave lokale të qyteteve, portrete të punëtorëve me uniforma e pa to, portretin e kryemësuesit kinez e të njohur botërisht – Konfucit, ndonjë monument në hapësirë publike apo fotografi të revolucionarit Mao Ce Dung-it në ndonjë lokal të servimit të ushqimit, por jo edhe aq shumë dhe nuk ishte kudo. Në një nga qytetet pashë buste që pasqyronin figura të arteve marciale dhe bëra një fotografi me to, pasi që isha rritur si fëmijë me filmat karate të kinematografisë kineze, koreane, japoneze, etj. Me shumë të rinj e të vjetër që më ra t’i takoja në Kinë, e donin kogjo shumë Maon! “Mao was the great person!” – ta thonin shumë kinezë të rinj e të vjetër. Kishte edhe nga ta që e vënin në dyshim edhe ndonjë veprim të tij rreth vdekjes së milionave viktima dhe mbi vitet e urisë, revolucionin kulturor që u bë edhe ‘kulturocid’, por me ata që më ka rënë të bisedoja, e adhuronin si hero madhështor të Kinës. Alex Gu, më thoshte se “ata që nuk e duan Mao Ce Dungin janë vetëm disa të pasur, biznesmenë të mëdhenj apo pronarë të njohur, të cilët e shohin si armik të të pasurve, përndryshe të tjerët e duan shumë Maon!”
Më duhet ta përfundoj me kolumnen e tretë këtu për shkak të natyrës së gazetës, por Kina mund të mbushet me libra e jo tri kolumne sepse ajo mbetet e madhe dhe e madhërishme, që të magjeps! Më kanë mbetur edhe shumë gjëra për të mos i treguar dot, por ‘kajmaku’ është thënë tashmë ekskluzivisht në “Kosova Sot”!
(fund)
Kosova Sot, 16 prill 2016
