Bashkë kundër projekteve hegjemoniste të Serbisë
/Mosnjohja e epërsisë nuk është cenim i të drejtave – Kuper/
Shkruan: Ismajl KURTESHI
/2L ONLINE/ – Kundërshtimi i opozitës që e ka marr 1/3 e votave të elektoratit shqiptar, në zgjedhjet e fundit parlamentare, dhe mbi 200.000 nënshkrime të qytetarëve, në peticionit që është organizuar kundër marrëveshjeve të nënshkruara me 25 gusht të vitit 2015 në Bruksel, për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, po injorohet nga koalicioni qeverisës.
Kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi që takohen me qeveritarët serbë, sa herë që këtë e kërkon Serbia, dhe i plotësojnë të gjitha kërkesat e tyre pa asnjë kusht, nuk po tregohen të gatshëm t’i rishqyrtojnë, bashkë me opozitën dhe ekspertët, marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë në Bruksel për çështje të brendshme të Kosovës. Këta pa të drejtë, po insistojnë që të mos e lejojnë që punën e tyre ta vlerësojnë të tjerët dhe të ofrojnë alternativa.
Ata që e kishin obligim të raportonin në Kuvend, para se t’i nënshkruajnë marrëveshjet, e anashkaluan Kuvendin. Ndërsa tash, pas nënshkrimit të marrëveshjeve dhe sidomos pas reagimit të opozitës, po kërkojnë debati në Kuvend, jo për t’i rishqyrtuar marrëveshjet, por për t’i kundërshtuar kërkesat e opozitës. Ata paraprakisht duke deklaruar se nga marrëveshja nuk do të tërhiqen, bëjnë të pakuptimtë debatin të cilin formalisht po e kërkojnë. Qeveritarët që e nënshkruan marrëveshjet nuk pranuan konsulta e sugjerime para nënshkrimit, nuk po pranojnë rishqyrtim të marrëveshjes pas nënshkrimit, jo se marrëveshja është e mirë por se, sipas tyre, është ndërkombëtare dhe nuk mund të tërhiqet.
Nëse është Marrëveshje ndërkombëtare atëherë, pse të mos ratifikohet në Kuvend?
Nëse është Marrëveshje ndërkombëtare atëherë, pse brenda saj trajton vetëm çështje të brendshme të Kosovës?
Nëse është Marrëveshje ndërkombëtare atëherë, pse nuk është në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, por është në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Por edhe sikur të ishte Marrëveshje ndërkombëtare, ajo si e tillë edhe mund të tërhiqet. Sepse një gjë të tillë e lejon Neni 18, pika 4 e Kushtetutës së Kosovës, në të cilin thuhet se marrëveshjet ndërkombëtare mund të tërhiqen, përmes procedurave me të cilat është arritur marrëveshja. Shembuj të tërheqjes së marrëveshjeve ndërkombëtare ka shumë, por ne po i përmend vetëm dy. Në vitin 2014 është nënshkruar Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Serbia njëanshëm është tërheq nga marrëveshja, megjithatë asaj tani po i hapet kapitulli i 35 i BE-së.
Shqipëria para disa viteve pati nënshkruar Marrëveshjen ndërkombëtare me Greqinë për kufijtë detar. Shqipëria ndërkohë është tërhequr nga marrëveshja, ajo është anëtare e NATO-së dhe e ka fituar liberalizimin e vizave.
Serbia marrëveshjet me Kosovën nuk i cilëson si ndërkombëtare, por i konsideron si akte politike në mes të palëve, prandaj, si të tilla, ato nuk mund të trajtohen njëanshëm si ndërkombëtare.
Po të ishin Marrëveshje ndërkombëtare do të duhej të ratifikoheshin në Kuvend. Arsyetimi i Qeverisë se gjoja marrëveshja është ratifikuar në vitin 2013 nuk është i qëndrueshëm. Po të ishte kështu atëherë, pse është dashur të negociohej dhe të nënshkruhet edhe një herë kjo marrëveshje edhe me 25 gusht të vitit 2015? Sipas Kushtetutës së Kosovës edhe amandamentimi i marrëveshjeve ndërkombëtare duhet të ratifikohet.
Megjithatë tërheqja nga marrëveshja është e mundshme
Kryeministri Mustafa që deri para disa dite këmbëngulte se nuk ka mundësi marrëveshja të tërhiqet ditëve të fundit po e pranon rishikimin e marrëveshjes për demarkacionin duke mos përjashtuar mundësin se ajo edhe mund të rinegociohet.
Kurse me 29 tetor për herë të parë publikisht në “Rubikon” tha:”E anuloj asociacionin nëse Kushtetuesja thotë se është antikushtetuese”. Kështu, Kryeministri që këmbngulte se nuk mund të ketë tërheqje nga marrëveshja, tani po deklaron se megjithatë mundësia për tërheqje nga marrëveshja ekziston.
Qëndrimi (jo)parimor i disa analistëve dhe ambasadorëve
Vitin e kaluar kur LDK-ja ishte bashkë me VLAN-in, PDK ishte pakicë, ndërsa disa analistët ishin hapur në krahun e pakicës, ndërsa ambasadat punonin në heshtje për interesa të pakicës (PDK-së).
Me 26 Qershor të këtij viti, Gjykata Speciale nuk e mori numrin e nevojshëm të votave por, qeveria, ambasadat dhe analistët u vunë hapur kundër bindjeve dhe vullnetit të deputetëve, e organizuan votimin e dytë me 3 gusht (në kundërshtim me procedurat dhe normat demokratike), bënë presion mbi deputetët dhe me imponim e siguruan numrin e nevojshëm të votave.
Këto ditë shumica e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës votuan për shkarkimin e Rektorit, analistët, ambasadorët dhe Qeveria, iu kundërvunë shumicës dhe e zhvlerësuan vendimin e tyre.
Kurse në të njëjtën kohë, kërkesat e opozitës në Kuvend nuk merren parasysh, me argumentin se vendimet e shumicës janë të pakontestueshme. Ky qëndrim i Qeverisë përkrahet nga disa analistë e ambasada.
Këta që në rastin e “zajednicën” janë për parimin e shumicës parlamentare, edhe pse e dinë se për çështje të caktuara nevojitet koncenzusi, janë kundër referendumit si forma më demokratike e mundshme.
Ka shumë analist e ambasador parimor që kërkojnë respektim të opozitës dhe rishqyrtim të çështjes sepse asgjë nuk është e parishqyrtueshme, ata sidomos kërkojnë që për çështje të tilla të mëdha të vendos Kuvendi dhe se në disa raste nuk mjafton të jesh shumicë, shpesh e drejta është në anën e pakicës.
Qëndrimet e shumicës nuk janë përherë të drejta
Në vitin 1946 Serbia e imponoi organizimin e Kuvendit të Prizrenit, me qëllim të hedhjes poshtë të vendimit të Konferencës së Bujanit, në të cilin ishte vendosur që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Në Kuvendin e Prizrenit kërkohej nga Delegatët (deputetët) që të deklarohen edhe një herë a janë për Beogradin apo për Tiranën. Nën presionin serb shumica e delegatëve u deklaruan se janë për bashkimin me Serbinë. Ramiz Cërrnica u deklarua se ishte për bashkimin me Shqipërinë. Ramiz Cërrnica, nuk ishte me shumicën por ishte në anën e drejtë.
Shumica e delegatëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 1989, nën presionin e regjimit të Millosheviqit, u deklaruan për suspendimin e Autonomisë së Kosovës. Vetëm 10 nga 155 delegatë u deklaruan kundër suspendimit të autonomisë, koha e dëshmoi se këta 10 delegatët, edhe pse pakicë, ishin rreshtuar në anën e drejtë.
Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, si dhe qeveritarët që i kanë nënshkruar këto marrëveshje, e dinë shumë mirë, sa të dëmshme janë këto marrëveshje, por Kryeministri dhe zëvendësi i tij i janë nënshtruar presionit të Serbisë, që po vjen përmes vendeve që po bëjnë përpjekje ta mbajnë Serbinë larg ndikimit të Rusisë. Kurse deputetët i janë nënshtruar presionit liderëve të tyre partiak.
Deputetët e pozitës dhe qeveritarët duhet ta kuptojnë se nuk ka obligim mbi atë që e kanë marr me rastin e dhënies së betimit.
Miqtë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë se edhe sikur të ishte e mundur ta kthenin Kosovën në Serbi, Lidhjet emocionale serbo – ruse nuk do të mund t’i zhbëjnë dot. Historia na ka mësuar se “zgjidhjet” e imponuara janë akumulim i pakënaqësive që një ditë do të shpërthejnë. Në rast shpërthimi pasojat do t’i bartim ne, qytetarët e Kosovës. Prandaj për t’i evituar pasojat, frontit të refuzimit të “zajednicës” duhet t’i bashkohen të gjithë ata që janë të gatshëm të investojnë, në perspektivën e brezave që po vijnë dhe të funksionalitetit të këtij vendi. Çdo rrugë tjetër është më e dëmshme se që mund ta imagjinojmë sot. Bashkë lehtë mund ta mënjanojmë të keqen. Të bëhemi bashkë kundër të këqijave që quhen “Zajednic” dhe Demarkacion. As shantazhet e mundshme mbi individ të caktuar, as inatet e shtresuara me vite, nuk guxojnë të na pengojnë të bëhemi bashkë kundër projekteve hegjemoniste të Serbisë që kanë për qëllim ndarjen ose defunkcionalizimin e Republikës së Kosovës. /2L ONLINE/
/autori është deputet i Parlamentit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje/
