/2L ONLINE/ – Në periudhat më të rënda për atdheun, sidomos në atë të viteve ’90-ta, dhe të luftës së UÇK-së, mërgata jonë, me sakrificën dhe përkushtimin e saj, ka dëshmuar se, fuqishëm është e lidhur me vendin e vet. Dhe, duke e marrë parasysh kontributin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë, ne akoma jemi larg përmbushjes së obligimit, të detyrës sonë shtetërore – kombëtare. Natyrisht se, çdo përpjekje, çdo organizim serioz, institucionale për pritjen e diasporës sonë, është e mirëseardhur, por, format e organizimit, si të tilla, çfarë tashmë janë bërë traditë, nuk po sjellin efektin e duhur. Ndaj, institucionet komunale duhet të ndryshojnë qasjen ndaj bashkatdhetarëve tanë.
Kështu vlerëson Kryesia e Degës së PDK-së në Gjilan, përcjellë Shefik Surdulli, sekretar i Degës, sipas të cilit vet fakti që në shumicën e aktiviteteve komunale për diasporën, sipas një agjende të përgatitur nga zyra e kryetarit të komunës, nuk është vërejtur numër i kënaqshëm i pjesëmarrësve të diasporës, diku-diku edhe fare nuk kanë marrë pjesë, tregon joseriozitetin e komunës në këtë relacion. Përkundër propagandës së madhe vizuale, me pankarta e rekuizita të ndryshme, komuna prapë nuk ka arrit ta tërheq interesimin e bashkatdhetarëve në këto manifestime, ngase edhe bashkatdhetarët, përditë e më tepër, po e shohin hipokrizinë e pushtetit komunal të Gjilanit.
Surdulli vlerëson se edhe tek ata është krijuar përshtypja se e gjithë kjo është një lloj kamuflimi për dështimet e njëpasnjëshme të pushtetit aktual, karshi obligimeve dhe premtimeve që ka dhënë kryetari Haziri, për mirëqenien e qytetarëve të komunës sonë.
“Qytetarët tanë, tashmë janë bërë imun nga degradimi i skajshëm në shumë segmente të qeverisjes, por, mërgimtarët tanë, fatkeqësisht, kanë pasur tjera pritje, sepse çdo ditë, udhëheqja komunale e Gjilanit, ka propaganduar për “punë të hairit”, ndërkaq, ata tani janë ndeshur me një realitet tjetër: infrastrukturën e dobët rrugore; degradim total i shumë rrugëve në zemër të qytetit, hapja e punimeve, mu në këtë kohë të kthimit të mërgatës sonë në vendlindje, të një fluksi të papërballueshëm të veturave në komunikacionit, me shllunga pluhuri, në hyrje-dalje të Gjilanit, mungesa e furnizimi me ujë të pijshëm; mungesa e komunikimit serioz e të mjaftueshëm me mërgatën, për ti dëgjuar hallet e tyre dhe problemet me të cilat ata përballen gjatë pushimeve në vendlindje; mungesa e prezantimit të potencialit investues në komunë ndaj bashkatdhetarëve tanë që kanë kapacitet financiare për investime këtu; neglizhenca në administratë dhe jofunksionalizimi i E-kiosqeve ka shkaktuar problem në nevojën për nxjerrjen e ekstrakteve të lindjes, po ashtu mungesa e informimit të qartë për procedurat e faljes së borxheve publike; në sektorin e gjendjes civile ka numër të vogël të zyrtarëve, në vend që tani të shtohej numri i tyre, e një mori defektesh tjera që po e përcjellin këtë qeverisje në vazhdimësi”, ka thënë Surdulli i PDK-së.
Ai thotë se nderin më të madh ia bëjmë mërgatës sonë, kur ajo sheh dhe përjeton një përparim dhe prosperitet të vendit të saj, shërbime të mira dhe efikase, një qeverisje normale, tjetërfare nga ajo që është aktualisht, që i trajton me dinjitet qytetarët e vet.
“Kaq i mjafton diasporës sonë. Ajo më është ngopur me demagogji e hipokrizi të pushtetit komunal, e sidomos të udhëheqjes së saj”, thotë për Portalin 2L ONLINE, Shefik Surdulli, sekretar i degës së PDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/