DYLON

Bashkatdhetarët mbështesin zjarrfikësit me donacione në automjete dhe pajisje përcjellëse

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri i shoqëruar nga nënkryetari, Rexhep Kadriu dhe bashkëpunëtorë të tjerë ka qenë pjesë e pranimit të donacionit të një veture dhe pajisjeve të tjera përcjellëse për Shërbimin e Zjarrfikjes në Gjilan, të cilat janë siguruar nga shoqata vullnetare “Diaspora Hilft”, që përfaqësohej nga Besim Aliu.

Me këtë rast Haziri ka thënë se shoqata vullnetare “Diaspora Hilft”, janë kontribuues të vazhdueshëm në logjistikë, automjete dhe pajisje të tjera duke i falënderuar për angazhimin.

EkoHigjiena

“Falënderoj shoqatën vullnetare “Diaspora Hiltf”, të cilët në vazhdimësi kanë bërë shumë për Gjilanin, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në aspektin e pajisjes së këtij shërbimi me automjete dhe pajisje të tjera përcjellëse. Besimi si përfaqësues i kësaj shoqate mund të jap edhe një kontribut shtesë, për të cilin ne kemi shumë nevojë, pra të sjellin eksperiencat e organizimeve vullnetare dhe mbështetjeve të tjera, që ne i kemi të domosdoshme, në mënyrë që të bëhet edhe organizimi alternativ”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai tha se Brigada e Zjarrfikësve, duhet të kompletohet me staf shtesë që të jap kontributin profesional edhe më shpejt.

“Gjilanit i duhen iniciativat, por organizimi i zjarrëfikësve vullnetarë është interes i jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.

Haziri i ka ndarë shoqatës mirënjohje në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë në këtë angazhim të tyre dhe për mbështetjen që i kanë dhënë Gjilanit në donacione në fusha të ndryshme.

Ndërsa nga ana e tij Besim Aliu, ka thënë se shoqata merret me aktivitete vullnetare në sektorin e zjarrfikjes, shëndetësisë dhe arsimit, duke mbledhur donacione të ndryshme në këto fusha.

“Jemi shoqatë që donacionet i orientojmë kryesisht në sektorin e zjarrëfikjes, spitaleve dhe shkollave. Po punojmë që sa më shumë donacione të vijnë në Gjilan dhe në Kosovë. Apeloj tek të gjithë bashkatdhetarët tanë në diasporë që të bashkëpunojnë me shoqatën tonë dhe të na përkrahin neve, sepse puna lidhet menjëherë me sukses”, tha ai ndër të tjerash.

Ndërsa, nga ana e tij shefi i këtij shërbimi, Shaip Ismaili, e ka falënderuar shoqatën dhe ka thënë se ky donacion është shumë i vlefshëm, si në aspektin profesional ashtu edhe në ngritje të efikasitetit gjatë intervenimeve. /2L ONLINE/