Mesfushori kosovar, Vullnet Basha, karrierën e tij do ta vazhdojë në Spanjë te skuadra e Segunda Division, Real Zaragoza. Rikujtojmë ditë më parë në La Liga te skuadra e Valencias u prezantua, Shkodran Mustafi.
Mesfushori kosovar, Vullnet Basha, karrierën e tij do ta vazhdojë në Spanjë te skuadra e Segunda Division, Real Zaragoza. Basha te Zaragoza erdhi në formë huazimi për një vit nga rradhët e skuadrës zvicerane të Sionit, ndërsa në marrëveshjen e arritur me spanjollët ekziston një klauzolë, sipas së cilës Zaragoza në fund të sezonit mund të blejë kartonin e tij, kuptohet nëse arrin t’i bind drejtuesit e skuadrës spanjolle.
Vullnet Xhevat Basha i lindur në Lozanë të Zvicrës tërë karrierën e tij e ka kaluar në ekipe të ndryshme të Ligës zvicerane. Ai hapat e parë i bëri te skuadra e Lozanës, për të kaluar më pas te Gras’hopersi, pastaj Ksamaksi dhe së fundmi te Sioni, me të cilën skuadër ka kontratë deri me 30 qershor të vitit 2015-të.
Ai gjithashtu ka qenë edhe pjesë e përfaqësueseve U19 dhe U21 të Zvicrës, mirëpo në fund zgjodhi që të shkojë hapave të vëllait të tij më të madh, Migjen Basha, me ç’rast pranoi që të luajë për kombëtaren shqiptare. Ai me fanellën “kuq e zi” debutoi në verën e vitit 2013.
Vullnet Basha para nënshkrimit të kontratës me sukses kaloi kontrollimet mjekësore në Spitalin “Chiron Zaragoza”, ndërsa prezantimi i tij zyrtar pritet të bëhet të hënën më 11 gusht, në ora 12:30 në stadiumin “La Romareda”.