BARDI I MALIT TË ÇEPURIT
..dhe mali i dashuruar…
Nga Timo Mërkuri.
“Bardët janë këngëtarë dhe poetë keltë” na prezanton Straboni , gjeografi i madh i antikitetit duke shtuar se janë një ndër tre grupet e njerëzve që nderohen më shumë në shoqërinë kelte krahas me Vatët dhe Druidët ndërsa përshkrimin e parë të tyre e ka dhënë Poseidonius qysh në shekullin e I p.e.s. ku shkruan se: “Keltët kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi) të cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë” dhe ishin një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala “bard” përkthehet apo nënkupton “thurës i lavdeve” duke dëshmuar në këtë mënyrë se “lavdia” ishte ajo pjesë e jetës njerëzore, që siguronte pavdekshmërinë e njeriut nëpërmjet mbartjes së tij në epikën heroike të popullit.
“Bardët “ krijonin këngë “lëvduese” heroike për bëmat e trimëritë e fisnikëve keltë dhe këto këngë i këndonin në kështjellat e tyre, në të cilat banonin edhe vetë si bujtës, sepse ata nuk lejoheshin të merrnin ndonjë titull fisnikërie a të ndërtonin shtëpi të larta në asnjë rast. Kështjellat e heshtura në majë të maleve shkëmborë merrnin frymë nëpërmjet këngëve të bardëve kur ktheheshin nga luftërat ku fisnikët e kalorësit shihnin nëpër ‘to betejat që kishin bërë, fitoret që kishin korur…
Ndodhi që nëpër këngët epike të bardëve, krahas vringëllimave të shpatave nisën të dëgjohen dhe psherëtimat e vashave që rrinin pa gjumë netëve nga meraku për fatin e luftëtarëve. Si të ndrojtura dëgjoheshin fillimisht këto psherëtima, të fshehura në ndonjë qoshe vargu, por tingulli i tyre bënte të dridheshin zemra që nuk dridheshin as përpara shpatës. Dhe sigurisht edhe malet ndjenin një si drithërimë, ca si mornica që u përshkonin gjithë qënien e tyre nëpër damarët e gurtë dhe përcollën erërat nëpër melodi. Ndihmuar nga erërat e malit u ngrit një oktavë më lart tonaliteti i psherëtimave duke u shtrirë e zgjatur në melodi dhe duke spostuar pak nga pak bëmat e trimëritë e luftëtarëve…
Kohët ndryshuan, ndryshuan dhe bardët bashkë me këngët e tyre dhe tashmë lavde e hymne i këndohen dhe dashurisë. Madje një nga këta “bardë” aty në malin e Çepurit, ( Sabit Rrustemi ), ngre këngë e hymne vetëm për dashurinë, sikur do të na dëshmojë se “vetëm dashuria është ajo pjesë e jetës njerëzore që siguron lumturinë dhe të hap portat e pavdekësisë”. Madje dhe vajzën e dashuruar e ngre në rangun e perëndive duke e quajtur “Hyjneshë” e “Hyjnore” dhe shkruan për ‘të se dhe rrathët e ferrit s’e bëjnë ta harojë: “Nëntë rrathë harrese ma mbështollën vargun/ Nëntëdhjetëenëntë herë mendja më vajti/ E më mbeti tek ty” . Dhe ndërsa i thotë vajzës …”Çepurit si ky hap i imi qepesh” befas sheh se “Çepuri mbet pa fjetur” dhe se “I pafjeturi Çepur zhvesh rrobat/ gjoksin vë përballë” sepse”…”një Çepur të tërë shprushë/ për tu nisur pas teje”.
S’paska ndroje ky bard të flasë për dashurinë, madje dhe vetë Zotit i qëndron përballë…”Nëse asht mëkat/ me dashtë/ mos më fal o Zot/ Kam me e dashtë përditë/ nga çasti në çast/ Vullnetarisht e pranova/ këtë fat” … madje dhe në mot të hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërue/ dhe ty dhe ty moj/ tek ai shteg Çepuri/ degët tuj mi shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri/përfiton syve me pranverë” praandaj I thotë vashës …”Laj sytë me një puhi mali/ a gurrë Çepuri/ dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/ si një pikë e fundme uji/ tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/ dhe Çepuri”.
Është i çuditshëm ky bard i malit të Çepurit sepse këndon vetëm në këtë mal, si bilbili që këndon vetëm në një korie për çdo vit. Ndërsa bardët e tjerë i kanë malet për të kënduar hymne trimërie për fitoret e për gjakun e heronjve, ky dhe lotët i derdh…”se nuk fluturon para syve të mi ajo grishë e Çepurit/ dhe fundit të kësaj dite” dhe se…”Këtu rrëzë Çepurit/ ka mbetur vetëm hija e etur/ në një pritje të pasosur” sepse….”Vetëm Çepuri ma ruen hijen’, por gjithsesi..”Nëpër
Është e magjishme kënga e këtij bardi që i bën edhe lisat të përqafohen si djelmosha të posa takuar pas një kohe të gjatë. Por kjo magji e kësaj kënge i kalon edhe kufijtë më ekstrem të imagjinatës njerëzore sepse i bën dhe malet të dashurojnë e të rendin pas dashurisë si djelmosha që lypin puthjen e parë… “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/ nuk la shteg pa ecur/ as Lis pa pyetur/ kah shkoi ku mbet” .
Le të sodisim malet nëpër vargjet dhe rreshtat e letërsisë shqipe në të shkuarën…Malet kudo e kurdoherë kanë qenë prezente në jetën e njeriut shqiptar sepse në shpatet e tij, me gurët e tij ai ndërtonte shtëpinë, në shtigjet e tij nisej e kërkonte lirinë, nga pas malit vinte drita e diellit në mëngjes apo era e ngrohtë e pranverës dhe si mali qëndronte para rrebesheve armike. Por mali nuk ishte vetëm një simbol rezistence, ai ishte më shumë se aq, ishte pjesëmarrës në jetën e shqiptarit me hijen apo praninë e tij aktive… “O ju male me dëborë/ Pse s’qani hallet e mia…rënkon njeriu shqiptar nga pesha e rëndë e jetës dhe vajzës së dashur, i thotë me butësi e ngrohtësi…”Duro vajzë të durojmë/ Si duron mali dëborën”. Ftohtësia e kësaj dëbore çuditërisht nuk e ftoh ngrohtësinë e fjalëve të djalit, sepse janë fjalë që mbartin shpresën e besimin. Me siguri që pas këtyre vargjeve ka lindur edhe ajo kënga e bukur…”Ç’u mbush mali plot me dushk/ Thotë vajza janë krushq”…varg që u jep jetë dhe i vë në lëvizje ëndrrat vajzërore drejt ditës më të bukur të jetës…për të mbërritur më pas te kënga e bukur…”Kur shkoje rrëzës së malit/Duke mbajtur frerët kalit/ Duke dhënë sisë djalit/ Hajde hajde moj Mine/ Sa e bukura që je”…Filluam të këndojmë ë? E po ç’t’i bësh, kur flet për male domosdo do ja nisësh edhe këngës.
Malet kanë qenë aktive në jetën e shqiptarit sidomos në kohë lufte, kohë që i shtrëngonte dhe ato në gjoks sa që rënkonin nga shtrëngesa e dhimbjes…”Zunë malet e rënkojnë/Kurveleshi po luftojnë” .. nis një këngë, apo mbanin zi për trimat e rënë…”Mali i Çikës kullon serë /Mba zi për Ymer Xhaferë”…pasi kishte vajtuar më parë me gjëmë e ligjërime…”Qaj moj Çikë me Gjinikë/ Se drëri juaj ka ikë/ që i shtij hasmitë frikë/ Dhe nuk ju qasej e ligë”…E imagjinoni dot të vajtojnë malet me gjëmë suferinash e orteqe dëbore? Më mirë mos ta dini se do t’ju ikë mendja fare. Unë do t’ju thoshja të mos e dëgjoni as vajtimin e asaj vajzës së re që lotonte…”Do të dal moj nënë/ Do të dal nga malet/ Ti thëras bandillit/Vallë mos më ngjallet”…
Nëpër shpat mali kanë lindur edhe legjendat si ajo e Kostandinit, balta e varit të të cilit ju bë kal për të rendur te e motra Doruntina. Ka dhe male me histori dashurie si te përralla për një djalë që quhej Akro i dashuruar me vajzën Qerana të cilët në një moment përqafimi, një shtrigë e keqe u bëri magji dhe i ngriu në vend, sepse kishte zili pse djali nuk dashuronte vajzën e saj, Kënetën. Kështu u krijuan vargmalet Akroqerane ku bëjnë pjesë mali i Çikës.
Pyetja që lind me këtë rast për vargun e Sabit Rrustemit “Mali zemërndezur me shpirtin zjarr/ nuk la shteg pa ecur” dhe për disa vargje të tjerë është se : a lëvizin malet? Në poezinë popullore malet janë në lëvizje të natyrshme dhe këtë e hasim te vargjet,” Kam një lëmsh në zemër/ S’di kujt t’i rrënkohem/ T’u rrënkohem maleve/ Malet më largohen …
Por male në moment dashurie vetëm Sabit Rrustemi na ka dhënë dhe ky mal çapkën na qënka Çepuri i tij i cili… “trazoi shkëmb e gurë/ flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi/ si furtunë u lëshua luginave/ e u ngrit përmes reve shkreptiu/ moteve nëpër stuhi”… mandej… “Mali kaplohet prej dhimbjeve/ zjarrmive të pamatshme digjet flake/ e shpirti nuk i del/ pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë”…dhe se… “Moteve që kohojnë në këto dhera/ nga dashuria për Vashën/ thonë të jetë djegur deri në hi/ e të jetë ringjallur në Shpend”…
Pyetjes në se përqaset mali me dashurinë i përgjigjemi se malet tona janë në moshë të re (gjeologjike) dhe pikërisht në moshën e “dashurisë”. Po t’i shtosh kësaj faktin se shumë nga malet tona janë me origjinë vullkanike (Mali i Çikës) gjë që e justifikon zjarrin e brendshëm të tyre nëpër vargje, atëherë themi se Sabit Rrustemi ka bërë një gjetje brilante.
Një poezi me ritmin e këngëve të bardëve, ndonëse jo me vargun njëmbëdhjetëroksh të epeve, që përzien botën e legjendave (ringjallja në formën e shpendit pas djegies apo lindjen e burimeve nga plagët) me jetën tonë, metaforizimit të forcës së dashurisë… por a e dini miqt e mi, më mirë lexojeni vetë ju këtë poezi të bukur të Sabit Rrustemit për të cilën unë çfletova epokat.
Sarandë, më 04.05.2020
VASHA E ERËS III
Një puhi e lehtë e ëmbël
fletëzave të një mëngjesi
ia shprushi atë floknajë motesh
që i vareshin mbi fytyrë
ëndrrës së panxënshme të Malit.
Prej puhisë u tremb Vasha
nga droja se po rrëmbehej prej Erës
poreve të dashurisë u fsheh
Mali zemërndezur me shpirtin zjarr
nuk la shteg pa ecur
as Lis pa pyetur
kah shkoi ku mbet
Vashën e përpiu papritur toka
honeve të pafundme të shpirtit
e nuk u pa më
Mali trazoi shkëmb e gurë
flatrave të shqiponjës sa kepin kaptoi
si furtunë u lëshua luginave
e u ngrit përmes reve shkreptiu
moteve nëpër stuhi
Mijëvejtshave të shkuara
Bjeshka u shkrumbua prej vetëtimash
zjarresh e vërshimesh
derisa u zhvesh e tëra
asht e lëkurë mbeti
pa një kokërr dhé
Përfundi saj
një fushë e re gjerë e gjatë iu krijua
sa për t’ia zgjatur jetën
e për t’ia ruajtur shpresën
po Vasha nuk u shfaq kund
e Mali s’pushoi të rend pas Saj
Ag e terr përditë Asaj Ane të Nemur
ndrydh e shtrydh veten deri në palcë
sa dhe zemra e gurit nis e pikon
Diku bunoi një krua
një përroskë pastaj lindi
e nuk mungoi as lumi
Thellësive të padukshme
ku depërton sall uji
thonë dhe liqene u krijuan
ku në qetësinë e plotë të Natës
lahet Vasha e shkreh flokët
dhe ëndrra të reja përpush
e zhduket prapë
përmes krahëve të erës
poreve të fshehta të Bjeshkës
Mali kaplohet prej dhimbjeve
zjarrmive të pamatshme digjet flakë
e shpirti nuk i del
pa e strukur në gjirin e tij atë Vashë
Moteve që kohojnë në këto dhera
nga dashuria për Vashën
thonë të jetë djegur deri në hi
e të jetë ringjallur në Shpend
Sa herë dalldia e erërave
shkund Bjeshkën
Ai Shpend
përmes flatrash rrahë furtunat
mes dredhash të papara zhytet
atë Vashë
për ta nxjerrë prej kthetrave
që nuk e lë për të vdekur
as edhe njëherë