Baraliu: Kushtetutës t’i hiqen mekanizmat bllokues
Njohësi i çështjeve kushtetuese, profesor Mazllum Baraliu, ka thënë se është e domosdoshme që Kushtetutës së Kosovës t’i hiqen mekanizmat bllokues, të cilët kanë të bëjnë me votën e dyfishtë të minoriteteve.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Baraliu ka deklaruar se ndërprerja e mekanizmave bllokues që ka Kushtetua varet ekskluzivisht nga konsensusi politik në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës. “Tejkalimi, rrjedhimisht ndërprerja e mekanizmave bllokues, të instaluara në dispozitat e Kushtetutës në fuqi të Republikës së Kosovës, ekskluzivisht varet nga sigurimi i konsensusit politik të partnerëve të koalicionit aktual, të shumicës (totale) qeverisëse në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Baraliu.
Ai ka vlerësuar se me këtë Kushtetutë, Kosova është zënë peng nga vetvetja, institucionet e saj dhe ato ndërkombëtare. Baraliu ka kërkuar angazhim nga të gjithë që të rishkruhet një kushtetutë e re dhe të hiqen këta mekanizma bllokues. “Kjo Kushtetutë ka nevojë për t’u ndryshuar substancialisht, për t’u debatuar me qytetarët dhe shoqërinë civile, pastaj për t’u miratuar me konsensus të plotë, të të gjithëve, në Kuvendin e Kosovës. Për t’u realizuar ky projekt me rëndësi, me peshë parësore dhe vitale për secilin dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, përsëri lypset konsensusi”, ka deklaruar Baraliu.
