DYLON

Banonte në shkollën e Shurdhanit, falë donatorëve bëhet me shtëpi të re

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Familja shtatë anëtarëshe e Astrita Mustafës, e cila jetonte në shkollën e fshatit Shurdhan, sot është bërë me shtëpi të re, pas aksionit të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili në tetorin e vitit të kaluar organizoi mbrëmjen humanitare “Pak nga ne, shumë për ata”.

Çelësat e shtëpisë së re në Zhegër, të ndërtuar nga donatori familja Zymberi, përkatësisht vëllezërit Ajazi, Fadili, Jashari dhe Nexhati, ia ka dorëzuar zonjës Astrita Mustafa kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili shoqërohej edhe nga kandidatja për deputete në Parlamentin e Zvicrës, Herolinda Avdili Rexhepi dhe bashkëpunëtorët.

EkoHigjiena

Kryetari Lutfi Haziri u shpreh shumë i lumtur që familja Mustafa u bë sot me shtëpi të re falë kontributit të qytetarëve të Komunës dhe të komisionit komunal.

“Kjo është familja e radhës që ka përfituar në kuadër të Fondit për bamirësi, e cila ka jetuar në gjendje jashtëzakonisht të rëndë në shkollën e vjetër të fshatit Shurdhan, respektivisht Pidiq. Ne e kemi zhvendosur tash në tokën dhe shtëpinë e tyre. Jam jashtëzakonisht i lumtur që falë kontributit të qytetarëve të Komunës dhe të komisionit komunal, aksioni po vazhdon”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri pohoi se gjatë gjatë këtij viti do të ndërtohen 11 shtëpi, do të bëhen pagesa të qirave për 37 familje dhe do të rinovohen dhjetëra të tjera sipas kërkesave të qytetarëve.

“Ne gjatë qershorit edhe dy shtëpi të tjera do t’i fillojmë për t’i ndërtuar. Do të fillojmë të bëjmë pagesa të qirave për 37 familje dhe do të fillojmë t’i renovojmë objektet e atyre familjeve që e kanë shtëpinë e parregulluar, pa kulm dhe pa dyer e dritare. Unë apeloj te të gjithë bamirësit të vazhdojnë t’i mbështesin familjet. Sot, jam poashtu i lumtur, që është lajmëruar edhe një donator tjetër i cili dëshiron të mbetet anonim, por që dëshiron të ndërtoj një shtëpi. I falënderoj shumë vëllezërit Zymberi, Ajazin, Fadilin, Jasharin dhe Nexhatin për kontributin e tyre”, tha Haziri.

Në emër të familjes Zymberi, ka folur Mursel Zymberi, i cili theksoi se kjo është shtëpia e pestë që e kanë ndërtuar vëllezërit e tij, duke shtuar se janë në prag të përzgjedhjes edhe të familjes së radhës për të kontribuuar aq sa i lejojnë mundësitë.

Zonja e shtëpisë së re, Astrita Mustafa, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe familjen Zymberi për ndihmën, duke uruar që edhe familjet tjera në nevojë të bëhen sa më shpejt me shtëpitë e tyre. /2L ONLINE/