Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon është shprehur i brengosur me ngërçin politik në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga liderët kosovarë që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës.
“Veçmas jam i dëshpëruar për shkak të ngërçit të stërzgjatur politik në Prishtinë dhe pasojave të mundshme negative për përparimet e deritashme dhe forcimin e institucioneve dhe proceseve në Kosovë”, ka thënë Ban Ki-moon në raportin më të ri për gjendjen në Kosovë që do të diskutohet në KS të OKB-së më 13 nëntor.
“U bëj thirrje të fuqishme të gjithë entiteteve politike kosovare dhe para së gjithash liderëve të tyre që t’i përforcojnë përpjekjet që zgjedhjet që u mbajtën më 8 qershor të jenë të suksesshme dhe në funksion të tejkalimit të ngërçit aktual”, thuhet në raportin e OKB-së.