Lufta çlirimtare në Kosovë i dha fund një epoke të errët dhe shkatërrimtare që mbretëronte me shekuj te shqiptarët e Kosovës. I dha fund barbarisë serbe këtu, por edhe jo në disa shtete ku jetojnë shqiptarët historikisht siç është rasti në shtetin serb e, po ashtu, në Maqedoni, Mal të Zi, që ende politikat po i zhvillojnë me mentalitetin e së kaluarës millosheviqiane dhe traditës së dëmshme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për Ballkanin në përgjithësi. Nga kjo shtruarje e kësaj çështje mund të konstatojmë se popujt e Ballkanit ende duhet të punojnë në avancimin dhe strukturimin e tyre si shoqëri që ende kanë mbetur me të jetuarit e së kaluarës së errët historike. Në këtë sy shqiptarët janë dëmtuar si popull historikisht, por edhe sot, përveç Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura, në shtetet e tjera ende nuk gëzojnë të drejtat elementare siç i njohin konventat ndërkombëtare, por edhe të drejtat njerëzore që lidhen me barabarësinë e popujve.
Nga të mësuarit nga e kaluara vijmë në një përfundim se “ballkanasit” paraqesin filozofin e errët, por edhe të një mentaliteti që në vetvete ngërthen egoizmin, prapambeturin, dhe sheh në vete vetëm artin e mundjes ndaj tjetrit dhe asgjë tjetër. Në këtë hartë gjeografike shqiptarët në Ballkan ishin viktima të të tjerëve dhe pazarllëqeve të të mëdhenjve që e bartën në kurrizin e tyre me shekuj të tërë peshën e robërisë. Pesha më e rëndë ndaj tyre u vendos sidomos nga shteti serb e, pasandaj, edhe pushtuesit e tjerë që historikisht njihen.
Ballkani i trazuar tani kur rrethanat strategjike e historike kanë ndryshuar, e ka shansin e mirë që të kalojë përtej vetvetes dhe ta vazhdojë rrugën drejt vendeve të ekuilibruara dhe të zhvilluara të Evropës. Nëse i hyjmë një analize, së paku përciptazi shqiptarët në përgjithësi në Ballkan ishin vrima e zezë dhe kujdestari i përhershëm i shtypjes ndaj tyre, shfaqjeve tmerruese dhe pa të drejta elementare, e mos të flasim për shtetin çfarë është sot Kosova (përjashto Shqipërinë).
Sot ndryshimet duken prej së largu, por jo edhe aq shumë sa qytetarët Ballkanas të dalin prej vetvetes dhe të mendojnë për një kulturë gjithëpërfshirëse dhe një sistemi të përbashkët funksional e evropian. Në këtë pamje ekzistojnë edhe faktorë të brendshëm dhe të jashtëm të cilët reflektojnë jo si duhet në mentalitetin e ballkanasve për të qenë pjesë ekzistenciale e vetëdijes evropiane. Shteti i Kosovës, më i riu në Ballkan, ka vendosur formulën më me peshë për integrimin e shtetit në strukturat euroatlantike. Për dallim që një pjesë e Ballkanit refuzon në heshtje këtë integrim duke u bërë pengesë për zhvillime të fuqishme gjeostrategjike, politike, ekonomike të Ballkanit në pjesën moderne të Evropës.
Kosova po bartë mbi supe modelin më afirmativ për qytetarët e saj pa dallim se çfarë janë dhe po shihet si shembull i mirë nga të tjerët se si duhen trajtuar qytetarët pa dallim.
Shteti ynë, i dalë prej një lufte barbare, e zhvilluar nga Serbia, ka arritur ta tejkalojë vetveten vetëm e vetëm për të ndërtuar një të ardhme të fuqishme evropiane. Në këta parametra nuk gjendemi të barabartë as historikisht, as politikisht me shtetin fqinjë e që është Serbia, e cila pothuajse një shekull ka shkelur jetën, zhvillimin e gjithë kosovarëve. Prandaj edhe ky episod i dhimbshëm duhet të shihet nga ata që i vendosin politikat e mëdha evropiane e më gjerë në mënyrë që portretizimi i Evropës të bëhet në bazë të disa standardeve dhe kushteve që e zhvillojnë atë, por edhe jo që e pengojnë dhe i sjellin probleme të ardhmes së saj.
Natyra vetvetiu ndryshon ashtu siç ecën dhe vetë koha dhe ritmi i saj. Shteti ynë gradualisht po ngjitet në agjendat evropiane dhe krahas shteteve që kanë profil zhvillimor, kulturor, por edhe trajtim të duhur njerëzor.
Nëse shikojmë etapat historike në Evropë e më gjerë, pasluftërat kishin mjaft probleme që në Kosovë ishin të përmbajtshme dhe qytetari i Kosovës fali nga vetvetja edhe zullumin që e kishin bërë ndaj tyre me shekuj pushtuesit e ndryshëm.
Lufta e fundit e UÇK-së ishte e shenjtë dhe mbi këto premisa ajo paraqet rrumbullakimin e shtetit më të ri të Kosovës së sotme.
Ballkani nuk duhet të mbetet rob i së kaluarës.
Evropa me të gjitha problemet po unifikohet dhe kufijtë po i përkasin të së kaluarës. Ato më elementare duhet të zgjidhen siç është rasti me shqiptarët e luginës së Preshevës, shqiptarët në Maqedoni si element shtetformues, po ashtu edhe të drejtat në Mal të Zi. Vetëm kështu mund të diskutojmë për një perspektivë Ballkanike dhe evropiane.
Unë ju pres tek shtatorja e Agim Ramadanit në Gjilan.