Ballkani kalon në gjysmëfinale, Munishi insiston se ‘Portokallinjtë’ duhet të luajnë në Evropë

Ballkani kalon në gjysmëfinale, Munishi insiston se ‘Portokallinjtë’ duhet të luajnë në Evropë

Ballkani do të jetë në gjysmëfinale të DigitAlb Kupës së Kosovës në futboll, pasi sot triumfoi 2:0 ndaj Dukagjinit të Klinës.

Blendi Baftiu dhe Artur Magani realizuan për skuadrën e Ismet Munishit që u shfaq me dy fytyra në këtë ndeshje. Derisa në pjesën e parë, ‘portokallinjtë’ mbetën nën hijen e ‘hithave’ në atë të dytën shpërthyen, duke realizuar dy gola dhe duke krijuar mundësi të pafundme.

Marrë në tërësi ndeshja ishte e tensionuar me shumë kartonë të verdhë dhe një gol të anuluar per Ballkanin.

Sipas trajnerit, Ismet Munishi, lufta për titull kampion është e hapur, ndërsa Ballkani duhet që në një mënyrë apo tjetrën ta përfaqësojë futbollin kosovar në Evropë.

“Do të jetë një luftë e madhe për titullin kampion. Shpresojmë se çdo gjë do të jetë korrekte. Ballkani do ta përfaqesonte më së miri kampionatin kosovar në arenën ndërkombëtare, pasi që është një skuadër që luan me ritëm më të shpejtë se klubet kosovare dhe ndeshja që luan dallon shumë me skuadrat e tjera”, përfundoi Munishi.

Ballkani i bashkohet Prishtinës dhe Drenicës në luftën për Kupë.

KOMENTE