Balancimi i të drejtës së informimit dhe privatësisë

Balancimi i të drejtës së informimit dhe privatësisë

“Politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm, jo për zgjedhjet e ardhshme”
Winston Churchill

Shkruan: Jeton ARIFI

Prologu në formë citati i marrë nga një thënie e mençur e burrështetasit, mendja dhe guximi i të cilit shkëlqeu në orët më të errëta të Britanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i paraprinë këtij shkrimi meqë i njëjti synon tërheqjen e vëmendjes së atyre që vendosin për fatin e qytetarëve tanë në shumë fusha e interesa nga përditshmëria e tyre, duke spikatur rëndësinë e respektimit të të drejtave individuale, në veçanti për të qenë të informuar e për të gëzuar privatësi.

Në gjysmën e dytë të gushtit të nxehtë, kur tregtimi paraprak i votave tona nga subjektet politike sapo ka nisur, zgjedhësit e përcaktuesve të fatit dhe të ardhmes së tyre, vazhdojnë të përballen çdo ditë me mosrespektim të qëllimshëm të të drejtave të tyre elementare.

E drejta në privatësi dhe e drejta e informimit janë të dyja të drejta themelore të njeriut në shoqërinë moderne. Në pjesën më të madhe, këto dy të drejta janë të ndërvarura dhe e përplotësojnë njëra tjetrën për t’i dhënë përgjegjësi institucioneve në raport me qytetarin.

Privatësia dhe e drejta e informimit shpesh përshkruhen si dy anët e të njëjtës monedhë, që në fakt, më shumë veprojnë si dy të drejta plotësuese që promovojnë të drejtat e individit për të mbrojtur veten dhe për ta promovuar përgjegjshmërinë e institucioneve të shtetit.

Që të dyja ofrojnë qasje për individin në të dhëna personale që mbahen nga institucionet e shtetit, gjersa ligji që garanton privatësinë lejon qasje në të dhënat personale që mbahen nga sektori privat.

Mbi të gjitha, asnjë e drejtë e njeriut nuk mund të jetësohet në llogari të të drejtave tjera, e as të mbizotërojë mbi to. Në këtë aspekt, autoriteti që mbikëqyrë zbatimin e dy ligjeve përkatëse mbetet i përkushtuar që që të sigurohet se po bëhet bilanc adekuat midis të drejtave dhe lirive të njeriut në praktikë.

Sidoqoftë, ekziston një konflikt potencial midis këtyre dy të drejtave në rastet kur ekziston një kërkesë për qasje në të dhënat personale që mbahen nga institucionet e shtetit.

Nga përvoja e deritanishme kemi mësuar se është i shpeshtë konflikti midis të drejtës në privatësi dhe të drejtës në mbrojtje të të dhënave personale, në njërën anë, si dhe të drejtës për lirinë e shprehjes (në gazetari) dhe asaj për të qenë i informuar, në anën tjetër.

Në rastin e vendit tonë, shteti ka marrë hapat konkret, duke e harmonizuar Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale me Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR) dhe duke aprovuar ligjin e ri për qasje në dokumente publike.

Është detyrë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të kufizojë të drejtën e informimit kur ajo shkelë të drejtën në privatësi dhe në mbrojtje të të dhënave personale. Qasja proaktive për të siguruar një balans efektiv duhet të jetë e përqendruar në krijimin e mekanizmave matës të dëmit eventual dhe të interesave të publikut, në rast të refuzimit të qasjes.

Ekziston bindje e qëndrueshme se nuk ka një zgjidhje të thjeshtë për të balancuar të dyja të drejtat, por shumica e çështjeve mund të zvogëlohen përmes infrastrukturës së avancuar ligjore, që në vendin tonë ekziston. Hapi i radhës në këtë drejtim duhet të jetë hartimi i legjislacionit sekondar për të dyja ligjet përkatëse, e kjo nuk po mund të përmbyllet pa përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim e Privatësi, i cili ka mbetur peng i eksperimentimit dhe mungesës së vullnetit politik.

Adresimi i suksesshëm i shqetësimeve eventuale që mund të ngriten nga qytetarët brenda këtyre dy të drejtave është aplikimi i testimit të dëmit eventual dhe interesit të publikut, i cili mundëson balancimin e kujdesshëm të të dyja të drejtave, sepse interesi i përgjithshëm gjithmonë vie para atij individual.

Qytetarët tanë vërtetë mund të kenë brenga më të mëdha se respektimi i këtyre dy të drejtave, por jetësimi efektiv i tyre nga institucionet publike në veçanti është dëshmi se shteti po i trajton ata dinjitetshëm çdo ditë, jo vetëm pas rënies së këmbanave të KQZ-së.

(Autori është Drejtor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi)

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE