Nga Isuf Sherifi
BALADË PËR DY HYJNI
(Gurselit dhe Bajramit)
Rinisën përpjetëzën
Përlindjet për liri
Në themel dhe majë drite
Janë edhe Ata të Dy.
Njëri mjeshtër i magjikes n’pëlhurë
Tjetri i magjikes n’celuloid
Së bashku krijonin
Mrekullitë më të ndritura në botë.
Kur njëri mbi supe vendoste diellin
Tjetri ndillte pranverën
Atdheut i këndonin këngën e zgjimit
Territ nën këmbë ia shembnin dimrin.
Rinisën përpjetëzën
Përlindjet për liri
Në themel dhe majë drite
Janë edhe Ata të Dy
Si gjysmë perëndi.
E zaptuan vdekjen
Thonjtë ia ngulën
Shpërfaqën të vërtetën
Për Dritën dhe Jetën.
Roje të përjetshme
Engjuj mbi Arbëri
Tek koka dhe këmbët
I ke amulet, oj Arbëri.
Njëri mjeshtër i magjikes n’pëlhurë
Tjetri i magjikes n’celuloid
Së bashku krijonin
Mrekullitë më të ndritura në botë.
Rinisën përpjetëzën
Përlindjet për liri
Në themel dhe majë drite
Janë edhe Ata të Dy
Si një perëndi.