/Fjala e Bujar Nevzatit në varrimin e atdhetarit Osmon Shemsiu/
E nderuara familje Shemsiu
Të nderuar qytetarë të Përlepnicës, Gjilanit dhe Kosovës.
Më lejoni që në emër të qytetarëve të fshatit Përlepnicë që t’iu falënderojë për kohën që keni gjetur të merrni pjesë në varrimin e Bacës Osmon. Po ashtu më lejoni që t’i them disa fjalë dhe një biografi të shkurtër për Bacen Osmon.
Baca Osmon u lind më 18.07.1930 nga babai Zenel dhe nëna Zymrije dhe rrjedh nga një familje tradicionale-patriotike.
Ai fillimisht kreu mejtepin e atëhershëm te hoxha i fshatit për të vazhduar me punët e familjes, por si i ri ai ishte shumë i interesuar për vuajtjet dhe hallet e popullit shqiptarë dhe mësimet e para atdhetare fillon t’i merr dhe dëgjojë ku tjetër pos ne oden e babait të tijë Mixhes Zenel,vend ku ishte shndërruar në kuvend të burrave të rezistencës sonë kombëtare siç ishte rasti me krerët e Kosovës Lindore, në krye me Mulla Idriz Gjilanin, Muharrem Fejzen, Syle Zarbincen, Shyt Marevcin, Lot Vakun dhe shumë udhëheqës tjerë të lëvizjes tonë Kombëtare për çlirimin e Gjilanit në vitin 1945.
Baca Osmon ishte shumë aktiv në veprimtarinë atdhetare prandaj merr pjesë aktive në organizimin e demonstratave të vitit 1968.
Edhe pse doli herët në perëndim në vitin 1971, për të siguruar kafshatën e gojes,veprimtarinë patriotike nuk e heshti kurrë.
Banesën e tij e shndërroi në çerdhe ku takoheshin veprimtarët me eminent shqiptarë të asaj kohe, si nipi i tij Zija Shemsiu, Kadri Zeka, Vllezerit Gervalla, Hysen Terpeza, Qamil Rexhepi, Fahredin Tafallari e shumë të tjerë.
Baca Osmon kishte një karakteristikë të veçantë me përshëndetjen e tij të paepur me grushtin lart shtrëngues, ku jepte mesazh lirie, ishte dëshirë e ndezur flakë për çlirimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me “NENEN SHQIPNI” siç thoshte baca Osmon.
E nderuara familje Shemsiu.
Të nderuar të pranishëm.
Është e vështirë të ndahesh nga njerëzit që gjithë jetën kanë qenë frymëzues te të gjithë neve. Çfarë ishte Baca Osmon, jo vetëm emblemë identiteti atdhetar për familjen Shemsiu po për të gjithë ne që e kemi njohur.
Vetëdija atdhetare e Osmon Shemsiut e gjeti atë në përballjen e kërkesës për flamur e barabarësi; e gjeti në mbështetje të demonstratave të vitit 81, pastaj në të gjitha përpjekjet për liri e dinjitet kombëtarë e shtet. Ai ishte mbështetja jonë edhe atëherë kur kishim pak shpresa. Ai na mbushte me besim atëherë kur ndjeheshim të dëshpëruar. Shpirti i tij i madh si njeri e atdhetar ishte pisha që ndriçonte rrugën tonë. Ai kishte një ideologji të vetme – atdheun e lirë e të përparuar. Prandaj krah tij kishim Zijahun e familjen e madhe Shemsiu; krah tij kishim breza të tërë atdhetarësh që u flijuan për lirinë e atdheut.
E nderuara Familje Shemsiu.
Pa Bacen Osmon jemi më pak, jemi më të varfër për fjalët e tij, për mendimet e tij, po jemi më të pasur me kujtimet për të, me veprimtarinë e madhe të tij, me shpirtin e jashtëzakonshëm.
Jemi më të pasur me atdhetarinë e humanizmin që ai shpërndau gjithë jetën. Jemi më të pasur sepse e kishim këtu, e njohëm, e dëgjuam, u krenuam e u rritëm me të.
Ai ishte njëri nga motivet e ecjes sonë të drejtë, ishte njëri nga shëmbëlltyrat më të mira të atdhetarisë.
Sot kur ndahemi fizikisht, i dashuri ynë baca Osmon, prehu i qetë në dheun e fshatit tënd të dashur,në Perlepnicën tuaj, ku pranë ke vëllezërit tuaj, ke nipin tënd Zijahun,të cilin e pate idol të qeshjes dhe bindjeve tona kombëtare. Ti do të vazhdosh të jetosh në secilin prej nesh, sepse ke lënë gjurmë të pashlyeshme në hapat tonë në jetë, sepse ato gjurmë do të jetojnë sado të jetojmë ne që mësuam aq shumë prej tij.
Lavdi e përjetshme veprimtarisë së Baces Osmon.
I përjetshëm kujtimi për të.